Shashivar Hoti - Kryetar i Trupit Gjykues në rastin 'Pronto' - 03.01.2020
Gjyqtari ende nuk e ka dorëzuar aktgjykimin e shkruar në rastin 'Pronto'
Gjykatësi Shashivar Hoti, kryetari i trupit gjykues në rastin e ‘Pronto’ i pyetur nga Kallxo.com për përpilimin me shkrim të aktgjykimit me të cilin u liruan Adem Grabovci dhe të akuzuarit e tjerë nga akuza për shkeljen e statusit të barabartë të qytetarëve të Republikës së Kosovës tha se ai ende është brenda afatit ligjor.
“Unë jam brenda afatit shtesë që më ka dhënë kryetarja e Gjykatës, megjithatë jam në fazën përfundimtare të përpilimit të vendimit, por tani jam duke i dhënë rëndësi lëndës së të akuzuarit Sami Lushtaku për ‘Ikjen nga QKUK-ja’”, tha ai.
Prokuroria Speciale në prill të vitit 2018 kishte ngritur aktakuzë ndaj Adem Grabovcit, Arbenita Pajazitit, Besim Beqajt, Ilhami Gashit, Njazi Kryeziut, Zenun Pajazitit, Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj, Rexhë Abazit për veprën penale, shkelje e statusit të barabartë të qytetarëve të Republikës së Kosovës duke u mundësuar përparësi dhe privilegje personave me bindje politike në pozita udhëheqëse në ndërmarrje publike.