Dosja e Adem Grabovcit trajtohet nesër nga Supremja

Ish- deputeti i PDK-së, Adem Grabovci, nesër pas 90 ditësh  do të dalë para  Gjykatës Supreme për rastin  e njohur si “Pronto”.

Protagonisti kryesor i përgjimeve “Pronto”, së bashku më të akuzuarit e tjerë  më 3 janar 2020, ishte liruar nga Gjykata e Prishtinës në mungesë të provave.

Por Apeli në korrik e ndryshoi vendimin lirues të Gjykatës së Prishtinës, dhe Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin i gjeti fajtor për veprën penale shkelje e statusit të barabartë të shtetasve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Adem Grabovcit i është shqiptuar dënim unik prej 1 vjet e 2 muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohet në rast se ai nuk kryen vepër tjetër penale, në kohëzgjatje pre 2 viteve. Atij i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ilhami Gashit i është shqiptuar dënim unik prej  1 viti e 4 muaj burgim, i cili dënim nuk do te ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale ne kohëzgjatje prej 2 viteve. Atij gjithashtu është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik,  në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit te periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ndërsa Sedat Gashi është dënuar me dënim me burgim ne kohëzgjatje prej 8 muaj, i cili dënim nuk do te ekzekutohet ne rast se i akuzuari nuk kryen vepër penale ne kohëzgjatje prej 1 viti. Atij i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Avokati Florent Latifi, mbrojtës i të akuzuarit Grabovci,ndaj vendimit dënues të Apelit, paraqiti ankesë në Gjykatën Supreme.

Andaj Gjykata Supreme ka caktuar seancën për shqyrtimin e kësaj ankese më 29 shtator.

Prokuroria Speciale në prill të vitit 2018 kishte ngritur aktakuzë ndaj Adem Grabovcit, Arbenita Pajazitit, Besim Beqajt, Ilhami Gashit, Njazi Kryeziut, Zenun Pajazitit, Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj, Rexhë Abazit për veprën penale, shkelje e statusit të barabartë të qytetarëve të Republikës së Kosovës duke u mundësuar përparësi dhe privilegje personave me bindje politike në pozita udhëheqëse në ndërmarrje publike.