
Adem Grabovci - Foto: KALLXO.com
Supremja vendos datën e seancës në rastin "Pronto"
Ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovci i dënuar në rastin e njohur si “Pronto” më 29 shtator do të gjykohet nga Gjykata Supreme pas ankesës së tij lidhur me dënimin e marrë nga Gjykata e Apelit.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka.
Kujtojmë se ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci, i akuzuari kryesor në procesin e njohur “Pronto” , më 1 korrik të këtij viti ishte gjetur fajtor nga Gjykata e Apelit për veprën penale shkelja e statusit të barabartë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Apeli e ndryshoi aktgjykimin lirues të 3 janarit të Gjykatës së shkallës së parë dhe të akuzuarit Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin i shpalli fajtorë.
Apeli e dënoi Adem Grabovcin me 1 vit e 2 muaj burgim me kusht si dhe i është hequr e drejta për tu zgjedhur dhe për të ushtruar profesionin në administratën publike për 2 vite, Ilhami Gashin e dënoi me 1 vit e 4 muaj burgim me kusht dhe i hoqi të drejtën për tu zgjedhur dhe punuar në administratën publike 2 vite si dhe Sedat Gashin e dënoi me 8 muaj burgim dhe i hoqi të drejtën për tu zgjedhur dhe për të ushtruar funksion në administratën publike 2 vjet pasi të përfundojë dënimi me kusht.
Me 6 janar të vitit 2018-të Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Adem Grabovcit, Arbenita Pajazitit, Ilhami Gashit, Besim Beqajt, Njazi Rexhës, Zenun Pajazitit, Xhavit Dakajt për veprën penale shkelje e statusit të barabartë të Kosovës.
Grabovci, Beqaj, Pajaziti dhe të tjerët akuzohen se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011 kishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme në pozita udhëheqëse njerëz të afërt të tyre ose me partinë e tyre në ndërmarrjet publike “Trainkos”, “Infrakos”, “Hidro-Drini”, “Radoniqi-Dukagjini”.