Fehmi Musa

Supremja e liron të akuzuarin e rastit Badovci

Gjykata Supreme e Kosovës ka liruar nga akuza Fehmi Musën, i akuzuar në rastin e njohur në publik si rasti ‘Badovci’.

Musa akuzohej për dhënien e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale.

Gjykata e Prishtinës më 13 maj 2019, e kishte shpallur fajtor Fehmi Musën për veprën penale ‘dhënia e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale’ dhe e kishte dënuar me tre vite burgim.

Ndërsa Gjykata e Apelit më 14 tetor 2019 e kishte vërtetuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë.

Këto dy aktgjykime, Supremja i ka hedhur poshtë, duke e liruar përfundimisht nga akuzat Fehmi Musën.

Në aktgjykim thuhet se Gjykata Supreme e Kosovës me kujdes ka vlerësuar arsyetimin e paraqitur nga gjykatat e dy instancave më të ulëta dhe nuk i aprovoi arsyetimet e theksuara përkitazi me vërtetimin e dashjes të të pandehurit se ishte duke e kryer veprën penale për cilën ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar.

Supremja thekson se në rastin konkret, i akuzuari Musa nuk vërtetohet fakti se ishte në dijeni për veprimin paraprak të të pandehurve tjerë dhe aq më pak t’u ndihmojë personave pas kryerjes së veprës penale.

Në anën tjetër, avokati i Musës, Blerim Qela, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se Supremja për herë të tretë miratoi në tërësi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, ndërsa tha se për dëmin e shkaktuar do të kërkohet kompensim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Gjykata Supreme për të tretën herë sot miratoi në tërësi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë duke vendosur përfundimisht që Fehmi Musa të lirohet nga akuza. Dhe normalisht që lidhur me dëmin e shkaktuar të dënuarit Fehmi Musa dhe familjes se tij i cili edhe e ka vuajtur dënimin e shqiptuar nga gjykata e shkallës se parë do të kërkojmë kompensim nga KGjK”, ka thënë Qela në përgjigjen e tij.

Fehmi Musa në fund të vitit 2018 ishte rrëfyer për akuzat dhe arrestimin e tij në emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’.

VIDEO – Rrëfimi për arrestimin e të dënuarit në rastin ‘Badovci’

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për rastin ‘Badovci’ dhe gjykimin e Fehmi Musës. Shkrimet mund t’i gjeni KETU.