Çka miratoi sot KGJK-ja në mbledhjen e saj?
Këshilli Gjyqësor i Kosovës sot pas prezantimeve të raporteve vjetore për vitin 2023 nga gjykatat, paneli për lirimin me kusht, dhe Komisioni i monitorimit të planeve strategjike për përmirësimin e qasjes në drejtësi dhe për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, miratoi këto dokumente:
– Propozimin për riemërim me mandat të përhershëm te presidentja e Republikës së Kosovës të Taulant Rexhëbeqajt gjyqtar me mandat fillestar në Gjykatën Themelore në Prizren;
– Shpalljen e pozitës për përzgjedhjen e zëvendëskryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe vendimin për hapjen e procesit për përzgjedhjen e zëvendëskryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës;
– Vendimin për mbajtjen e dosjes në procedurë përmbarimore nga gjykata e shkallës së parë kur vendosin sipas prapësimit;
– Vendimin që vendimet në procedurë penale pavarësisht nga lloji i dënimit dhe shpenzimeve gjyqësore apo paushallit të ekzekutohen duke krijuar një dosje;
– Njoftimin e Njësisë për menaxhimin e burimeve njerëzore në SKGJK për pensionimin e një gjyqtare në Gjykatën e Apelit dhe një gjyqtare në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti;
– Miratimin e kërkesës së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për lejimin e qasjes në lëndët gjyqësore civile në Gjykatën e Apelit, të cilat kanë kaluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Ferizaj dhe Gjilan, për çështje të analizave në kuadër të projektit “Avancimi i drejtësisë me fokus te qytetarët”;
– Propozimin për njoftimin e kryetarëve të gjykatave për vlerësimin e performancës së 11 gjyqtarëve mbikëqyrës për vitin 2024:
– Kërkesën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj për transferimin e përkohshëm të një bashkëpunëtori profesional në Gjykatën Themelore në Ferizaj, dega në Shtërpcë;
– Propozimin e kritereve për shpërndarjen e lëndëve në gjykatat e Republikës së Kosovës përmes Sistemit të menaxhimit informativ të lëndëve (SMIL) dhe mënyrën e zbatimit të tyre të plotësuar me kriteret për Gjykatën Komerciale;
– Ndryshimin dhe plotësimin e vendimit KGJK.nr.449/2023 sa i përket përbërjes së Komisionit për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesionalë në gjykatat e Republikës së Kosovës ashtu që në vend të anëtarit Artan Abazi caktohet Hysni Bardheci gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
Anëtarët e Këshillit refuzuan ankesën e një gjyqtareje kundër njoftimit të kryetares së Gjykatës Themelore të Prishtinës lidhur me kërkesën për transferim.
Raportimet lidhur me mbledhjen në fjalë mund t’i gjeni KËTU.