Rrëfimi i dëshmitarit për vrasjen e Sabit Lushtakut në Prekaz

Driton Latifi, i  akuzuar se pagoi për ta vrarë Sabit Lushtakun nga Prekazi, është ballafaquar në gjykatë me dëshmitë e dëshmitarit të Prokurorisë Nexhdet Lushtaku.

Dëshmitari Lushtaku i propozuar nga ana e Prokurorisë ka treguar para trupit gjykues së ai ishte ftuar nga Sabit Lushtaku, derisa ky i fundit kishte zhvilluar një bisedë me Hashim Ahmetin në një lokal në Skenderaj rreth çështjes se si dikush kishte bërë plan për ta vrarë Lushtakun.

“Ata kanë zhvilluar një bisedë rreth çështjes se Sabit Lushtaku po don me u vra nga një person i cili quhet Luta nga Podujeva. Aty kam biseduar me Sabit Lushtakun dhe Hashim Ahmetin rreth kësaj çështje në kohë rreth një orë, ose një orë e gjysmë. Unë aty i kam dëgjuar disa fjalë që Sabit Lushtaku don mu vra me pagesë“, tha dëshmitari Lushtaku.

Gjithashtu dëshmitari ka treguar se derisa kishin biseduar të lartëcekrutit kishte dëgjuar tek sa ishin permendur shuma 30 dhe 10 mijë euro për vrasjen e Sabit Lushtakut.

“Aty janë përmendur edhe shuma të parave 30 mijë euro, ku aty kam dëgjuar që Luta ia ka bërë një ofertë edhe Hashimit, një ofertë prej 10 mijë euro, a pe merr për sipër për 10 mijë euro me vra Sabit Lushtakun. Hashimi është ankuar për gjendjen ekonomike sipas tij ai se ka pranuar ofertën. Aty kam dëgjuar se Luta i ka dhënë edhe armë Hashimit, ndërsa Hashimi ka thënë se unë nuk pe pranoj ofertën…”, shtoi dëshmitari.

Sipas dëshmisë së dëshmitarit Nexhdet Lushtaku, në ditën e njëjtë Sabit Lushtaku ishte takuar me Hashim Ahmetin pak me vonë, ndërsa Lushtaku e kishte blerë një diktafon për ta inçizuar bisedën me Ahmetin dhe prej asaj çka kishte arritur të dëgjonte në atë inçizim kishin qenë edhe emrat e Lutfi Qosa, Driton Latifi dhe emra të tjerë të cilët nuk i kujtoheshin dëshmitarit.

Duke theksuar se nuk e dinte se kur ishte bërë kjo bisedë me saktësi, ndërsa afërsisht tha të ketë qenë në qershor deri afër fundit të korrikut të vitit 2010-të, dëshmitari tha në Gjykatë se ai nuk kishte qenë i përfshirë në këtë bisedë, por se vetëm kishte dëgjuar.

Kurse duke u përgjigjur në pytjen vijuese të prokurorit Njazi Rexha, dëshmitari Lushtaku ka thënë se sipas bisedës që e kishte dëgju, Sabit Lushtaku do të vritej për shkak të një problemi të mëhershëm që e kishte pasur me Driton Latifin në Austri, e për çka ky i fundit kishte paguar para për t`u hakmarrë.

Derisa për biseden që kishte dëgjuar ndërmjet Sabit Lushtakut dhe Hashim Ahmetit, dëshmitari tha që asnjëherë nuk i kishte treguar askujt, sepse sipas tij Sabiti këtë ia kishte treguar në besë e që për të ishte e shenjtë.

Tutje duke u përgjigjur në pyetjen e avokatit Faruk Korenica, i cili në këtë gjykim përfaqëson palën e dëmtuar, dëshmitari Lushtaku ka thënë se dallimet fizike ndërmjet Sabit Lushtakut dhe Nuredin Lushtakut, i cili kishte mbetur i vrarë, ishin të dukshme, dhe ishte e pamundur me i ngatërru ata të dy për nga pamja.

Dëshmitari tutje ka rrëfyer se Nuredin Lushtaku ditën kritike kishte shkuar të marr në një fshat tjetër tezen dhe vajzën e saj, ndërsa kur ishte kthyer në oborrin e shtëpisë së tij kur kishte zbritur nga vetura, ai ishte vrarë.

Kurse anëtari i turpit gjykues Avni Mehmeti e ka pyetur dëshmitarin se cila kishte qenë aryseja e prezencës së tij gjatë bisedës që kishte bërë Sabit Lushtaku me Hashim Ahmetin.

Dëshmitari ka thënë se ishte ftuar nga vetë Sabiti, i cili i kishte thënë së do të takohej më dikë konkretisht me Hashimin, e që ky i fundit sipas dëshmtiarit do t`i tregonte se si dikush po donte ta vriste.

Kurse kryetari i trupit gjykues Radoslav Markoviq ka kërkuar nga dëshmitari që të tregonte se në çfarë konteksti e kishte dëgjuar emrin e Driton Latifit, dërisa dëshmitari ka sqaruar se “Hashimi kishte treguar për historinë e ‘Lutës’ që kishte qenë i paguar me vra Sabitin Lushtakun, nga miqtë (miqësi) në Austri dhe kishte qenë Dritoni ai që do t`i paguante paret, derisa ‘Luta’ ishte munduar me shit Hashimin për 10 mijë euro“, u përgjigj dëshmitari.

Seancat e radhës janë caktuar të mbahen me 7 nëntor dhe 2 dhjetor, ku pritet të dëgjohen dëshmit e dëshmitarëve të radhës.

Driton Latifi akuzohet nga Prokuroria se pagoi për ta vrarë Sabit Lushtakun nga Prekazi, kurse pagesa sipas Prokurorisë ishte kryer, ndërsa vrasja do ekzekutohej nga Lutfi Qosaj.

Ky i fundit në gusht të  2010-tës akuzohet se kreu vrasjen e porositur, por kishte huqur cakun. Qosaj akuzohet se qëlloi për vdekje Nuredin Lushtakun e jo Sabit Lushtakun për të cilin sipas Prokurorisë ishin paguar 30 mijë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës me të parë se në oborr hynë një veturë e kuqe “Audi 80“, me një vozitës mashkull, Lutfi Qosaj kishte shtënë në drejtim të tij katër herë, duke e goditur të njëjtin për vdekje dhe menjeherë kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Me këtë Driton Latifi akuzohet se ka kryer veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprës penale – Vrasje e rëndë“, thuhet në akzuën e Prokurorisë.