Rasti 'Syri i Popullit' - 27.09.2019

Rasti i plagosjes së Azem Vllasit, i akuzuari Avni Llumnica kërkon avokat joshqiptar

Dështon të mbahet gjykimi për plagosjen e ish-politikanit kosovar të viteve 1980, Azem Vllasi, në rastin e njohur “Syri i popullit’’.

Shkak për shtyrjen e kësaj seance ishte sepse i akuzuari Avni Llumnica kërkoi nga gjykata që t’i caktohet mbrojtës nga komuniteti jo shqiptar dhe se nuk dëshiron që më tutje të jetë i përfaqësuar nga avokati shqiptar Naim Rudari.

Në fillimin e gjykimit i cili nisi me vonesë i akuzuari Avni Llumnica, deklaroi se “Nuk dëshiroj që Naim Rudari të jetë mbrojtësi im dhe mua s`ka nevojë të më përfaqësoj askush dhe nëse më caktoni një avokat dua që të mos jetë shqiptar’’.

‘’Arsyeja qëndron se i njëjti ka mw shumw se 20 ditë që ka në posedim dokumentin ku tregon se unë tërë ditën kam qenë në punë me datën 15 maj, mirëpo i njëjti nuk e përmend askund në ankesë ndaj vendimit për vazhdimin e paraburgimit, nuk e di a s`po do mem mbrojt a s`po din”, tha i akuzuari Avni Llumnica

Naim Rudari kërkoi nga gjykata që ta njoftojë të akuzuarin se si ka mbrojtur atë.

“Është dëshira e Avniut me gjet një avokat serb’’, tha ai.

Tutje i akuzuari Avni Llumnica deklaroi se “Në këtë rast kërkoj që të më mbrojë një avokat joshqiptar  për shkak se nëse më caktohet një avokat shqiptar do ishte edhe një sinjal tjetër i padrejtësisë që po na u bëhet’’.

Prokurori special Sylë Hoxha tha se “Kjo është një protestë e Avni Llumnicës ndaj organeve sepse të kërkosh të mbrohesh nga një avokat jo shqiptar është nënçmim për sistemin e drejtësisë. Ndërsa lidhur me kërkesën për paraburgim qëndroj pranë që Rexhep Toplanës t’i ndryshohet masa e paraburgimit, ndërsa të akuzaurëve të tjerë t’u vazhdohet paraburgimi”.

Lidhur me kërkesën e të akuzuarit gjykata tha se do të njoftohet Oda e Avokatëve, ndërsa masa e paraburgimit do të mbetet në fuqi.

Seancat e radhës u caktuan me datën 10 tetor, 30 dhe 31 tetor 2019.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt. Aktakuza ka të bëjë me plagosjen e ish-politikanit kosovar të viteve 1980, Azem Vllasi, tani avokat.

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit, Naime Krasniqi-Jashanica kryetare e trupit gjykues si dhe dy anëtaret e tjerë Valbona Musliu-Selimaj dhe Vesel Ismajli.

Ndërsa aktakuzën e Prokurorisë është duke e përfaqësuar Prokurori Special Sylë Hoxha.

Pjesë e aktakuzë janë veprat penale duke filluar hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.