Foto: KALLXO.com

Prokuroria: I mori 5 mijë euro e nuk i kreu punët e kontraktuara nga Komuna

Në Gjykatën e Gjilanit janë paraqitur Florim Rama, Valdet Xoxa dhe Sami Mjaku për t’u përballur sërish me aktakuzën e cila u vihet në barrë nga Prokuroria.

Kujtojmë që ky shqyrtim gjyqësor ka nisur nga fillimi pasi që Gjykata e Gjilanit në maj të vitit 2019 i kishte liruar të akuzuarit në mungesë të provave por në shtator Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, duke pretenduar se aktgjykimi i shkallës së parë është i paqëndrueshëm dhe në kundërshtim me brendinë e tij.

Në seancën e sotme u morën në pyetje të akuzuarit Florim Rama dhe Valdet Xoxa, të cilët sërish u deklaruan të pafajshëm.

I akuzuari Florim Rama para gjykatësit tha se nuk ka çka të shtojë nga deklarata e mëhershme e dhënë para tij.

“Deklaratat që i kam dhënë në Prokurori nuk qëndroj pranë tyre pasi që deklaratat e dhëna atje nuk më kujtohen mirë dhe pyetjet kanë qenë të koklavitura dhe të paqarta”, shtoi ai.

I akuzuari Valdet Xoxa tha se ka dhënë deklaratë në shqyrtimin e kaluar dhe qëndron pranë saj.

“Nuk kam pasur avokat mbrojtës në Polici dhe në Prokurori. Kam pasur kërkesë për prezantimin e provave por nuk m’u ka lejuara nga ana e hetuesve. Kompania ime ka qenë e kontraktuar nga Komuna e Vitisë për mbikëqyrje të projekteve dhe ne asnjë punë nuk e kemi pranuar nëse nuk është përfunduar”, tha ai.

Prokuroria në Gjilan e akuzon Florim Ramën se në cilësinë e menaxherit për mbikëqyrje të projekteve kapitale në Komunën e Vitisë së bashku me të akuzuarin tjetër, Valdet Xoxa, i cili ishte drejtor i konsorciumit “Kapital X & Kapital” nga Prishtina, kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Kompania e Xoxës, në vitin 2016, ishte kontraktuar nga Komuna e Vitisë për mbikëqyrjen profesionale të projekteve kapitale.

Sipas aktakuzës, Florim Rama e kishte firmosur një raport të Valdet Xoxës rreth një projekti të Komunës së Vitisë edhe pse të dytë e kishin ditur se kompania e ngarkuar për atë projekt nuk e kishte kryer punën.

Ky nënshkrim e kishte obliguar Komunën e Vitisë që t’ia bënte pagesën prej mbi 63 mijë euro kompanisë “Ylli Dekor” në pronësi të të akuzuarit të tretë Sami Mjaku.

Tutje sipas aktakuzës, Sami Mjaku kishte bërë prezantim të rremë të faturave kinse për punët e kryera duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej mbi 5 mijë euro.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme u shty për në muajin mars, kur do të dëgjohet i akuzuari i fundit në këtë çështje- Sami Mjaku.

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast: https://kallxo.com/ligji/prokuroria-i-akuzuari-perfitoi-kunderligjshem-mbi-5-000-euro-nga-komuna/

www.kallxo.com