Ilustrim

Prokuroria e Pejës përjashtohet nga rasti i vrasjes së Agonis Tetajt

Prokuroria e Pejës është përjashtuar nga çështja penale kundër Shaban Gogaj, i cili akuzohet për vrasjen e Agonis Tetajt, kjo bëri që seanca e planifikuar për ditën e sotme të shtyhet.

Kallxo.com mëson se kjo çështje ka kaluar në  kompetence të  Prokurorisë se Gjilanit.

“Prokuroria e Pejës nuk është më kompetente për këtë  rast, në  bazë të vendimit për përjashtim të Prokurorisë se Apelit, sipas kërkesës së mbrojtësit të të akuzuarit Shaban Gogaj, avokatit Besnik Berisha”, tha për Kallxo.com zyrtari për informim i Prokurorisë se Pejës Shkodran Nikçi.

Seanca e radhës është shtyrë në afat të pacaktuar.

Aktakuza e Prokurorisë e ngarkon Shaban Gogaj për vrasje të Agonis Tetajt.

Sipas aktakuzës më 23 shtator të vitit të kaluar rreth orës 11 e 4 minuta në Deçan, më saktësisht në Kompaninë “Gogaj AG” e cila gjendet në rrugën “Luan Haradinaj” Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z., me të përfunduar bisedën Shaban Gogaj tani i akuzuar për vrasjen e Tetajt, nga karriga e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit Beretta, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë.