Policia në Prizren prezantoi projektin 'Vrojtuesit e lagjes'
Policia në rajonin e Prizrenit, përkatësisht Drejtoria e Policimit në Bashkësi, ka bërë sot prezantimin e projektit “Vrojtuesit e lagjes”
Sipas njoftimit, ky projekt është ndërmarrë në kuadër të aktiviteteve dhe bashkëpunimit me komunitetin me qëllim të parandalimit të veprave kriminale.
“Me ftesën e Komunës së Prizrenit në këtë aktivitet kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të lagjeve në Prizren si dhe kryetarë të fshatrave. Në panel intervistues përveç përfaqësuesve nga ICITAP-i, kanë marrë pjesë përfaqësues nga Drejtoria e Policisë në Prishtinë, përfaqësues nga Drejtoria Rajonale dhe Stacioni Policor në Prizren. Përfaqësuesit e lagjeve e kanë mirëpritur këtë projekt dhe njëkohësisht kanë ofruar bashkëpunim të ngushtë me policinë, mirëpo kanë shprehur edhe kërkesat e tyre sidomos për rastet e vjedhjeve dhe parandalimin e këtyre rasteve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas njoftimit, përfaqësuesit e lagjeve dhe fshatrave në Prizren në këtë takim, pas prezantimit dhe përgjigjeve nga ana a policisë janë ndarë të kënaqur më aktivitetin dhe punën e policisë, duke premtuar se edhe në të ardhmen do të jenë bashkëpunues dhe do të paraqesin të gjitha dukuritë negative që e pengojnë shoqërinë dhe banorët në vendet ku ata jetojnë.
Në fund të këtij takimi u zbuluar pllaka e vendosur në lagjen ‘Ortakoll’ me mbishkrimin ‘Vrojtuesit e Lagjes’.
Ky projekt është implementuar nga Policia në Prizren, së bashku më organizatën ICITAP dhe Kuvendin Komunal në Prizren.