Arrestohet 60 vjeçari i dyshuari për shitjen e diplomave të falsifikuara - FOTO
Policia në Prizren ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për prodhim dhe shitje të diplomave të falsifikuara.
Sipas njoftimit, Sektori i Hetimeve Rajonale në Prizren, kishte pranuar një informacion se në periudhën Janar-Mars 2021, shumë qytetarë nga Republika e Kosovës kishin paraqitur kërkesa për viza pune në vende të ndryshme të BE-së, me diploma të cilat dyshohet se ishin të falsifikuara.
Policia ka bërë të ditur se pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit kanë filluar që të verifikojnë vlefshmërinë e këtyre diplomave, të cilat janë lëshuar nga një shkollë e mesme e lartë në Komunën e Prizrenit.
“Pas verifikimit të vlefshmërisë hetuesit rajonal kanë zbuluar se të gjitha diplomat ishin të falsifikuara. Me autorizimin e prokurorit, hetuesit kanë filluar grumbullimin e provave duke siguruar dëshmi për veprën penale falsifikim i dokumentit. Po ashtu u intervistuan persona të ndryshëm si dhe dëshmitarë të shumtë”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit të rastit, policia ka realizuar një bastisje në Malishevë, në një agjenci turistike ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale diploma të të njëjtit format, të lëshuara në emër të institucionit shkollor “SHML nga Prizreni”, për persona të ndryshëm.
“Hetuesit gjetën prova se këto diploma janë prodhuar dhe dhënë në këmbim të shumave të caktuara të parave. Në lidhje më këtë rast policia ka ndaluar të dyshuarin H. M., 60 vjeçar, dhe me urdhër të prokurorit i njëjti u intervistua në prezencë të avokatit mbrojtës dhe u ndalua në afat prej 48 orë”, thuhet në njoftim.
Bashkangjitur gjeni foto nga sekuestrimi i diplomave te falsifikuara.