Konferenca për parandalimi dhe luftimi të korrupsionit në policinë kufitare. Foto: IPK

Luftimi i korrupsionit në policinë kufitare, IPK bashkë me ICITAP organizojnë konferencë treditore

Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me ICITAP-in amerikan ka organizuar konferencën rajonale treditore me temën “Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit në policinë kufitare”.

Në një njoftim për media u tha se pjesëmarrës në këtë konferencë ishin zyrtarë të lartë nga institucionet homologe të mbikëqyrjes policore të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut si dhe zyrtarë të lartë nga Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria e Shtetit, Policia e Kosovës e të tjerë.

Përpos tyre, në këtë konferencë mori pjesë edhe ministri Xhelal Sveçla, atashe i ICITAP-it pranë Ambasadës amerikane në Kosovë, Kimberly Riffe si dhe ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

IPK tha se ata përkrahën iniciativat e tilla të bashkëpunimit duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ndërinstitucional si mekanizëm i vlefshëm që garanton rritje të efikasitetit të shërbimeve ndaj qytetarëve.

Gjatë konferencës thuhet se u diskutua për sfidat në luftimin e korrupsionit tek policia kufitare, praktikat e mira të parandalimit dhe luftimit të këtij fenomeni duke prezantuar edhe disa raste studimi të operacioneve të suksesshme.

Raste të tilla që u përmenden gjatë konferencës janë edhe operacionin “Pika 1” dhe “Pika 2”  të IPK-së, ku të arrestuar mbetën me dhjetëra zyrtarë policorë dhe po ashtu raste nga vendet e rajonit.

Ndër temat e trajtuara ishin edhe ato që ndërlidhen me fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të kontrollit të brendshëm të vendeve të rajonit lidhur me përgjegjshmërinë dhe integritetin e policisë kufitare etj.

IPK tregoi se në mbyllje të konferencës si konkluzione që u përkrahën nga të gjitha delegacionet e shteteve pjesëmarrëse ishin që të vazhdohet me iniciativa të tilla, pra të ketë takime të rregullta së paku një herë në vit nga organizatat mbikëqyrëse policore të vendeve të rajonit.

Po ashtu u propozua të ketë organizim të trajnimeve të përbashkëta mes agjencive mbikëqyrëse policore nga vendet e rajonit, krijimi i platformave të përbashkëta të shkëmbimit të informatave e të tjera.

Konferenca për parandalimi dhe luftimi të korrupsionit në policinë kufitare. Foto: IPK
Konferenca për parandalimi dhe luftimi të korrupsionit në policinë kufitare. Foto: IPK
Konferenca për parandalimi dhe luftimi të korrupsionit në policinë kufitare. Foto: IPK