Ilustrim

Gjen kuletën me para, prizrenasi e dorëzon në polici

Policia në Rajonin e Prizrenit ka njoftuar se një qytetar ka dorëzuar në polici një kuletë me para dhe dokumente të cilën e kishte gjetur në një qendër tregtare.

“Para dy ditëve, një veprim i mirë i një qytetari në Prizren, tregoj një kulturë të një qytetari të mirë, pasi në oborrin e një qendre tregtare, e gjeti një kuletë me dokumente dhe para të konsiderueshme. Të njëjtat i dorëzoi menjëherë në polici”, thuhet në njoftim.

Policia ka njoftuar se pas kontrollit dhe verifikimit të dokumenteve dhe parave, të njëjtat i ka regjistruar, ndërsa ka falënderuar qytetarin për kulturën e treguar.

“Pas pak, në stacionin policor në Prizren, u paraqit edhe viktima e këtij rasti i cili kishte humbur këtë kuletë, dhe në momentin që ka paraqitur rastin, i njëjti u informua nga policia se dokumentet dhe parat janë dorëzuar në polici nga një qytetarë i cili i kishte gjetur dhe dorëzuar”, thuhet në njoftim.

Policia në njoftim ka bërë të ditur se qytetari ka pranuar kuletën të cilën e kishte humbur, dhe e njëjta është kontrolluar në prezencë të policisë për dokumentet dhe paratë që i kishte pasur, e më pas është larguar nga stacioni.