Për herë të dytë shpallen të pafajshëm dy zyrtarët policor

Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi, që të dy zhytarë policor, për herë të dytë janë liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Këtë vendim të gjykatës e mirëpritën dy zyrtarët policor të cilët i uruan njëri tjetrit për vendimin e gjykatës.

Edhe më parë në muajin prill të vitit 2019 gjykata dy zyrtarët policor i kishte shpallur të pafajshëm, në mungesë provash.

Pas ankesës së Prokurorisë në gusht të të njëjtit vit Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Ajser Skenderi, tha se edhe pas rigjykimit nuk u provua se dy të akuzuarit kanë keqpërdorur autorizimet e tyre si zyrtarë policor.

Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi akuzoheshin nga Prokuroria se në vitin 2017, si pjesëtarë të Policisë, pasi e kishin sekuestruar një veturë të vetaksidentuar, nuk kishin hapur rast për aksident dhe më pas e kishin liruar atë.

Që të dy i kanë mohuar akuzat gjatë procesit gjyqësor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, e njëjta veturë nuk është dashur të lirohet nga ana e të pandehurve, por është dashur të dorëzohet në terminalin doganor në Prizren për zhdoganim.

Përfaqësuesja e akuzës, Ervehe Gashi, kishte thënë se në këtë rast të akuzuarit në fjalë kanë bërë favore pasi, sipas saj, nuk kishin shqiptuar tiketë të kundërvajtjes ndaj drejtuesit të automjetit të pazhdoganuar.

Ajo kishte thënë se në ditën kritike të akuzuarit nuk e kanë përmbushur as detyrën e tyre themelore me të cilën, sipas prokurores, ata kanë dështuar ta bëjnë identifikimin e personit të hasur në vetaksident.

Ndërsa avokatët e kishin kundërshtuar prokuroren Gashi duke thënë se pretendimet e prokurores për veprën penale që iu ngarkohet dy zyrtarëve policor janë të pabaza dhe të paarsyeshme.

Edhe i akuzuari Flurim Tafolli i mohonte akuzat.

Sipas tij, të dy zyrtarët policor kishin vepruar siç e parasheh dispozita ligjore.

“E kemi kryer detyrën tonë për çka kemi qenë të obliguar”, kishte thënë ai.