Foto: Kallxo.com

Prizren, gjykata liron policët e rastit të vetaksidentit të veturës së pazhdoganuar

Dy zyrtarë policorë u liruan nga akuzat të martën nga Gjykata e Prizrenit, në mungesë provash.

Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi akuzoheshin nga prokuroria se në vitin 2017, si pjesëtarë të Policisë, pasi e kishin sekuestruar një veturë të vetaksidentuar, nuk kishin hapur rast për aksident dhe më pas e kishin liruar atë.

Që të dy i kanë mohuar akuzat gjatë procesit gjyqësor.

Në seancën e sotme të shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi kur e kumtoi vendimin tha që trupi gjykues nuk ka mundur të gjejë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin.

I pranishëm gjatë shpalljes ishte vetëm i akuzuari Flurim Tafolli, dhe mbrojtësit e të akuzuarve Asman Hoxha dhe Arben Ramadani .

Flurim Tafolli u shfaq i emocionuar kur gjykata e liroi nga akuzat.

“Ju kam thënë që kam me dalë i lirë, prej fillimit e kam ditë”, i tha Tafolli avokatit të tij Arben Ramadani të cilin e falenderoi dhe e përqafoi me t’u larguar nga salla e gjykimit .

Ai posa doli jashtë thirri në telefon kolegun e tij të bashkë-akuzuar, Rexhep Krasniqin, dhe i kumtoi lajmin për vendimin e gjykatës se u liruan nga akuzat.

https://kallxo.com/gjykimi-ndaj-policeve-te-akuzuar-se-liruan-veturen-e-aksidentuar-e-cila-rezultoi-e-pazhdoganuar/

Në fjalën përfundimtare Prokurorja Ervehe Gashi që përfaqëson aktakuzën, kishte kërkuar që të dy zyrtarët policor të dënohen.

Por kështu mendonin mbrojtësit e tyre, avokatët Asman Hoxha dhe Arben Ramadani, të cilët u shprehën të bindur se të mbrojturit e tyre kishin përmubushur të gjitha obligimet ligjore që u takojnë, dhe se nuk kanë kryer kurrfarë vepre penale siç pretendon prokuroria.

Aktakuza e Prokurorisë së Prizrenit, i ngarkonte zyrtarët policorë Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi se si pjesëtarë të Policisë së Trafikut rrugor në Prizren, në vitin 2017, gjatë orarit të punës, fillimisht e kishin sekuestruar një veturë e vetaksidentuar, dhe më pas në kundërshtim me detyrën zyrtare, nuk kishin hapur rast për vetaksident, dhe kishin liruar të njëjtën veturë.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, e njëjta veturë nuk është dashur të lirohet nga ana e të pandehurve, por është dashur të dorëzohet në terminalin doganor Prizren për zhdoganim, raporton kallxo.com.

Përfaqësuesja e akuzës, Ervehe Gashi, kishte thënë se në këtë rast të akuzuarit në fjalë kanë bërë favore pasi, sipas saj, nuk kishin shqiptuar tiketë të kundërvajtjes ndaj drejtuesit të automjetit të pazhdoganuar.

Ajo kishte thënë se në ditën kritike të akuzuarit nuk e kanë përmbushur as detyrën e tyre themelore me të cilën, sipas prokurores, ata kanë dështuar ta bëjnë identifikimin e personit të hasur në vetaksident.

Prokurorja tha se sipas shkresave të lëndës vozitësi i automjetit të vetaksidentuar nuk ka pasur dokumentacion identifikues, ndërsa ishte lejuar të largohet nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa avokatët e kishin kundërshtuar prokuroren Gashi duke thënë se pretendimet e prokurores për veprën penale që iu ngarkohet dy zyrtarëve policor janë të pabaza dhe të paarsyeshme.

Avokati Asman Hoxha, konsideronte se akuzat e prokurorisë janë të paqarta dhe të pabazuara, sepse sipas tij në rastin konkret nuk ka pasur vepër penale, por rasti duhej të vazhdohej me procedura administrative dhe procedura të brendshme Policore.

Edhe i akuzuari Flurim Tafolli i mohonte akuzat.

Sipas tij, të dy zyrtarët policorë kishin vepruar siç e parasheh dispozita ligjore.

“E kemi kryer detyrën tonë për çka kemi qenë të obliguar”, kishte thënë ai.

https://kallxo.com/gjykimi-i-dy-policeve-qe-liruan-veturen-e-aksidentuar-pa-e-derguar-ne-dogane-per-zhdoganim/