Mosmarrëveshja që liron nga burgu vrasës e të korruptuar

Një mjek nga Serbia, i cili kërkohet nga INTERPOL-i, arriti të punësohej në një spital privat në Kosovë, ndërsa një person i dënuar për vrasje nuk e ka problem të pijë makiato në Graçanicë. 

I dënuari për vrasje në tentativë u lirua, ndërsa mjeku i dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim rrezikon të lirohet për shkak se Serbia nuk u kërkoi autoriteteve të Kosovës ekstradimin e tyre. 

Në mes të shtatorit në qendër të Graçanicës një ekip special i policëve të Kosovës e arrestoi Jovan Perishiqin.

Djali nga Novi Sadi ishte futur dhe po jetonte në Kosovë pa asnjë problem ndërsa në Novi Sad ai figuron si person i dënuar me 14 vjet burgim me akuzat për vrasje në tentativë. 

Një hulumtim i KALLXO.com zbardh se institucionet e Kosovës u obliguan ta lironin Perishiqin pasi autoritetet e Serbisë nuk kërkuan ekstradimin e tij.

Në vitin 2020, institucionet e Serbisë kishin lëshuar një fletarrestim ndërkombëtar në INTERPOL. Aty kërkohej një djalë i lindur në vitin 1995, i cili është i dënuar nga Gjykata e Apelit në Novi Sad me 14 vjet burgim.

28-vjeçari kishte gjetur strehim në komunën e Graçanicës, ku mund të jetonte lirisht dhe t’u fshihej autoriteteve.

Të dhënat tregojnë që autoritetet arritën ta identifikonin dhe arrestonin Perishiqin por gjykata u obligua ta lirojë.

Ky veprim erdhi pasi Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që do ta sillte Perishiqin para drejtësisë. 

Shteti i Serbisë nuk kishte parashtuar kërkesë për ekstradim as kur ishte njoftuar për arrestimin e Perishiqit nga organe ligjvënëse të shtetit të Kosovës.

Afati ligjor për t’u paraqitur kërkesa për ekstradim është 40 ditë, e më 20 tetor të këtij viti ishte dita e fundit që do duhej për t’u paraqitur kërkesa.

Në këto rrethana Perishiq është liruar edhe pse i njëjti ndiqej se ka kryer vepër penale me pasojë vdekjen. 

Të dhëna të tjera tregojnë se në mes të muajve shtator-tetor, Izet Tutiq, një mjek i dënuar nga Gjykata e Kralevës, u arrestua nga Policia e Kosovës në afërsi të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Tutiq ishte vendosur në listën e personave të kërkuar nga INTERPOL-i më 13.10.2022. 

I kërkuari nga INTERPOL vazhdoi të jetonte në lagjen “Kalabria” të Prishtinës ndërsa kishte marrë edhe një kontratë me një spital në Prishtinë dhe leje pune.

Edhe për Tutiqin institucionet e Kosovës paralajmërojnë që vendimi do jetë përafërsisht i njëjtë – lirim e jo ekstradim në Serbi.

Armend Hamiti, prokuror në krimet e rënda në Prishtinë, konfirmoi për KALLXO.com se në mungesë të kërkesave për ekstradim nga Serbia, Prokuroria është e obliguar të kërkojë lirimin edhe të Tutiqit.

“Brenda këtyre dy muajve kemi dy raste që kemi arrestuar persona të kërkuar me fletarreste të INTERPOL-it, mirëpo nëse Serbia nuk dorëzon kërkesat për t’i ekstraduar këta persona ne duhet t’i lirojmë ata” – ka thënë Hamiti.

Sipas Ligjit të Kosovës për ekstradim, nëse një person i kërkuar me fletarrestim nga INTERPOL arrestohet atëherë shteti që kërkon arrestimin duhet të dorëzojë kërkesë tek autoritetet Kosovare.

Në vitin 2013 Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për “ndihmë të ndërsjellë juridike”.

Por marrëveshja ka probleme serioze në implementimin e saj në terren. 

Sipas të dhënave zyrtare të siguruar nga Ministria e Drejtësisë, Kosova ka përcjellë 211 kërkesa dhe 17 përgjigje kurse Shteti i Serbisë ka përcjellë zero kërkesa dhe ka kthyer zero përgjigje në çështjet juridike.

Si qëndron numerikisht bashkëpunimi juridik mes Kosovës dhe Serbisë?

Shifrat e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë duken se kanë çaluar 10 vite pas arritjes së Marrëveshjes për asistencë juridike reciproke.

Sipas asaj Marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia në thelb shkëmbejnë kërkesat gjyqësore përmes përfaqësuesve të BE-së.

Shteti i Serbisë që nga viti 2014 deri në shkurtin e vitit 2022 kishte bërë 1,548 kërkesa për organet e Kosovës. Të dhënat tregojnë që 936 përgjigje ishin adresuar ndërsa të tjerat nuk kanë marrë përgjigje.

Kërkesa ka pasur edhe nga ana e autoriteteve të Kosovës në drejtim të Serbisë, me ç’rast  janë regjistruar 4,204 kërkesa dhe 4,504 përgjigje. 

Mirëpo të dhënat tregojnë që këto kërkesa janë kryesisht administrative dhe çështje të dokumenteve e jo ekstradime apo shkëmbim i dosjeve penale.

KALLXO.com kërkoi sqarime nga Qeveria e Serbisë për mungesën e bashkëpunimit mirëpo një sqarim i qartë nuk u ofrua nga ata. 

Ministria e Drejtësisë në një përgjigje për KALLXO.com ka vlerësuar se shteti serb njëanshëm ka vendosur që të mos zbatojë Marrëveshjen e vitit 2013, e cila ishte ndryshuar në vitin 2015. Sipas Ministrisë, vlerësimi vjen duke marrë për bazë kërkesat dhe përgjigjet për vitin 2023.

“Pra nga kjo vërehet se Serbia ka vendosur që njëanshëm dhe në kundërshtim me nenin 8 të marrëveshjes së bashkëngjitur të heqë dorë nga zbatimi i saj, sepse që një vit nuk ka përcjellë asnjë kërkesë të organeve gjyqësore serbe dhe nuk ka përcjellë asnjë përgjigje në referim të kërkesave të organeve gjyqësore të Kosovës”.

Se nuk ka bashkëpunim të mirëfilltë në sferën gjyqësore e pohon edhe avokati Miodrag Bërklaç.

Bërklaç u shpreh se nuk ka bashkëpunim juridik mes Kosovës dhe Serbisë dhe se, sipas tij, arsye del të jetë gjendja politike dhe se nga ky proces mosbashkëpunimi pësojnë të akuzuarit.

“Me sa di unë nuk ka bashkëpunim juridik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se nuk është e vështirë të konkludohet se situata politike ka kontribuar në këtë. Mungesa e bashkëpunimit ligjor shkakton dëme të drejtpërdrejta për personat që janë ndjekur penalisht para organeve të drejtësisë së Kosovës, e drejta e të cilëve shkelet”-  tha Bërklaç për KALLXO.com.

Avokati Artan Qerkini sqaron se bashkëpunimi mes dy shteteve mundësohet përmes EULEX-it pasi që organet ligjvënëse të drejtësisë nuk u përgjigjen institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Bashkëpunimi juridik ndërkombëtar mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë ndodh vetëm me ndërmjetësimin e EULEX-it dhe UNMIK-ut, sepse ata nuk i përgjigjen Republikës së Kosovës, për shkaqe politike, se nuk e njohin shtetin e Kosovës”- tha Qerkini.

Ky i fundit shkaktar kryesor për mosbashkëpunim nga ana e Serbisë e sheh aspektin politik.

“Në një rast civil, gjykata i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, që Ministria e Drejtësisë e Kosovës t’i drejtohet asaj të Serbisë, që të kërkojë një autorizim të noterizim në Serbi dhe asnjëherë nuk e di epilogun e këtij bashkëpunimi, as s’është njoftuar Ministria e as Gjykata”- tha Qerkini.

Ndërsa roli i EULEX-it në këtë rast është si urë lidhëse për shkëmbimin e informatave mes Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Sipas përgjigjes nga zyra e EULEX-it, nga të dy shtetet nga 15 qershori i viti 2018 e deri në tetor të vitit 2023 janë shkëmbyer plot 2,884 shkresa.

Serbia strehë e sigurt për të dyshuarit nga Kosova 

Të dhënat tregojnë që edhe qytetarë nga Kosova arrijnë t’i shmangen drejtësisë duke u arratisur në Serbi.

Millan Radoiçiq, një figurë politike në Kosovë dhe tani i dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë, arriti t’u shpëtojë dy fletarrestimeve të Kosovës duke u fshehur në Serbi. 

Radoiçiq sërish është person i kërkuar ndërsa në një deklaratë publike presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë se nuk mund ta ekstradojë sepse nuk e lejon Kushtetuta.

Blerim Isufaj, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, tha për KALLXO.com se mungesa e bashkëpunimit me Serbinë pengon edhe hetimin ndaj grupit të Radoiçiqit. 

Radoiçiq nuk është i vetmi serb i Kosovës që është strehuar në Serbi, duke iu shmangur kështu drejtësisë kosovare.

Njëjtë po veprohet edhe me të akuzuarin Golan Milenkoviq, i akuzuar së bashku me 9 persona të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me segmentin Prizren – Prevallë.

Ndaj Milenkoviq ka fletërreshtim ndërkombëtar kurse mbrojtësi i tij, Predrag Milkoviq, kërkoi që fletërreshtimi ndaj tij të hiqet në mënyrë që i njëjti të mund të vijë në Kosovë.

Rast të ngjashëm për strehim në territorin e Serbisë kishte ndodhur edhe me Ivan Todosojeviqin, një deputet serb i Kosovës nga partia e Radoiçiqit, i cili në Kosovë akuzohej për nxitje të urrejtjes etnike pasi në një deklaratë të tij kishte thënë se masakra e Reçakut ishte e inskenuar.

I njëjti ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për t’u liruar më pas nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Rast tjetër që shpërfaq mosbashkëpunim në aspektin e drejtësisë nga shteti i Serbisë është edhe ai i Leme Xhemajt.

Leme Xhema ishte dënuar nga Gjykata e Kosovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare. E njëjta nuk kishte mbajtur dënimin pasi ishte arratisur në Luginën e Preshevës deri në parashkrimin e dënimit.

Gjina Zeqiri një tjetër protagoniste që kishte shfrytëzuar këtë zbrazëtirë të bashkëpunimit me shtetin e Serbisë, kishte gjetur strehim në Bujanovc.

Spitali që ishte pronë e Zeqirit ishte mbyllur ndërsa ajo kishte ikur në territorin serb, ku pamundësohej arrestimi i  saj.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës tha për KALLXO.com: “Republika e Kosovës ka shprehur vullnet për vite me radhë të bashkëpunojë në fushën e ekstradimeve, por që nga pala serbe nuk ka pasur vullnet për bashkëpunim, madje as për personat që i ka kërkuar vetë dhe për vepra të rënda penale”.

Për të kërkuar llogari për lirimin e kriminelëve të kërkuar, KALLXO.com kërkoi përgjigje edhe nga INTERPOL-i. Në një përgjigje me shkrim INTERPOL saktësoi se çështja e ektradimit është çështje e marrëdhënieve mes shteteve dhe INTERPOL nuk mund të interferojë.

Ky hulumtim është pjesë e një nisme që forcon bashkëpunimin ndërkulturor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili financohet nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e InternewsKosova dhe nuk përfaqëson domosdo pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose bashkëpunëtorëve të tjerë në projekt.