Arkiv - Ivan Todosijeviq - Ish ministër

Gjykata e ul dënimin ndaj ish-ministrit Todosijeviq - Nga 2 vite burg, në 1 vit

Është shpallur fajtor për herën e dytë ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Ivan Todosojeviq, i cili e kishte quajtur masakrën e Reçakut, si një trillim.

Sot gjykata e ka bërë rikualifikimin e veprës penale, ashtu që veprimet e të pandehurit i ka cilësuar si nxitje e urrejtje, përçarjes apo mos durimit racor, fetar apo etnik.

Gjykata Themelore e Prishtinës e dënoi ish-ministrin Todosojevic me 1 vit burgim nën akuzat për nxitje të urrejtjes duke ia ulur dënimin për 1 vit..

Todosijeviq në vitin 2019 ishte dënuar për të njëjtën vepër me dy vite burgim efektiv, mirëpo rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme.

Todosijeviq akuzohej nga Prokuroria speciale se i njëjti ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes  përmes një deklaratë të dhënë në vitin 2018 me të cilën e quante “trillim” masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Todosijeviq në atë kohë mbante postin e ministrit në Ministrinë e Administrimit dhe Pushteti Lokal.

I pandehuri në seancën e fundit në fjalën përfundimtare të tij kishte deklaruar se në asnjë moment nuk ka pasur qëllim që të fyej askënd, e posaçërisht popullin shqiptar.

“Në asnjë moment nuk kam dashtë edhe skam pas qëllim që askënd ta fyej, e posaçërisht popullin   shqiptar të tërin” – kishte thënë Todosojeviq.

Në korrik të vitit 2019, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq, për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Sipas Prokurorisë, Todosijeviq në cilësi të ministrit, me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se Todosijeviq në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, ka thënë se masakra e Reçakut ishte trillim.

“Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, kishte thënë Todosijeviq.

Pas kësaj deklarate, kryeministri Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Todosijeviqin nga pozita e ministrit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.