Pjetër Shala - 23.04.2021

Mbahet seanca e radhës ndaj Pjetër Shalës, i njohur si komandant ‘Ujku’

 

Prokuroria thotë se kanë paraqitur 4 dëshmitarë që e mbështesin aktakuzën dhe se parashikojnë dhe 8 dëshmitarë të tjerë, po ashtu dhe se materialet do të jepen gradualisht deri më 30 korrik.

Tutje Prokuroria ceku 3000 dokumente, që do përfshijë lista e materialeve.

Mbrojtja e të akuzuarit Shala, Jean Louis Gilissen tha se mbrojtja synon që të kryejë veprimet e veta.

“Problem i madh është nxjerrja e materialeve në mbështetje të aktakuzës, ne kërkojmë që këto prova të na vijnë në dispozicion sa më shpejtë që është e mundur”, tha avokati Gilisen.

“Jemi të mendimit që emrat e viktimave, që pretendohet së kanë vdekur, t`i dijë Shala. Dëshirojmë që të kemi një procedurë të pakushtëzuar me ballafaqimin e palëve sa i përket të shkuarës”, shtoi avokati Gilisen.

Kujtojmë se, Shala për herë të parë është paraqitur në Gjykatën Speciale më 19 prill, ku është deklaruar i pafajshëm.

Aktakuza pretendon se Shala kishte kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Pjetër Shala së bashku me persona të tjerë, si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, dyshohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.

Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Sipas prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Aty përshkruhen pretendimet se Pjetër Shala, Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi kishin marrë në pyetje dhe rrahur një person me shufër metalike, shkop bejsbolli dhe armë.

Madje në aktakuzë thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pos të tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.

Sipas prokurorit të specializuar, Shala ngarkohet me akuza për vrasje të paligjshme, torturë, ndalim arbitrar dhe trajtim mizor.

Për këto akuza Pjetër Shala ishte arrestuar me 16 mars në Belgjikë, ndërsa ishte transferuar në Hagë me datë 15 prill të këtij viti.

 

Caktohet seanca e radhës ndaj komandant ‘Ujkut’