Paraqitet për herë të parë në Gjykatën Speciale, komandant “Ujku”

Ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Pjetër Shala, i njohur në luftë me nofkën “Ujku”, doli sot për herë të parë para Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale.

Në seancën e sotme të akuzuarit Shala iu lexua aktakuza, me të cilën akuzohet për krime lufte.

“I kuptova dhe më duken qesharake akuzat”, theksoi Shala.

“Disa herë kam ardhur në Hagë, nuk ka pasur nevojë të ndodhë arrestimi, e ky farë filmi. Unë nuk ndjej se kam bërë ndonjë krim, kam mbrojtur popullin tim dhe ndjehem i pafajshëm”, shtoi ai.

Aktakuza pretendon se Shala kishte kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Pjetër Shala së bashku me persona të tjerë, si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, dyshohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.

Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Sipas prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Aty përshkruhen pretendimet se Pjetër Shala, Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi kishin marrë në pyetje dhe rrahur një person me shufër metalike, shkop bejsbolli dhe armë.

Madje në aktakuzë thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk i kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pos të tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.

Sipas prokurorit të specializuar, Shala ngarkohet me akuza për vrasje të paligjshme, torturë, ndalim arbitrar dhe trajtim mizor.

Për këto akuza Pjetër Shala ishte arrestuar me 16 mars në Belgjikë ndërsa transferuar në Hagë me datë 15 prill të këtij viti.

Sot paraqitet për herë të parë në Gjykatën Speciale, komandant ‘Ujku’