Foto: KALLXO.com

Lirim Jakupi ndihet i pafajshëm përballë akuzës se kërcënoi me armë nga vetura

Lirim Jakupi është deklaruar i pafajshëm rreth akuzave të ngritura kundër tij nga Prokuroria e Gjilanit.

Jakupi po akuzohet për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.

Në seancën e sotme në Gjykatën e Gjilanit, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shaban Spahiu dhe deklarimit rreth fajësisë nga i akuzuari, janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari ka kanosur të dëmtuarin Erhan Aliu dhe ka bartur armë pa leje.

Rasti, sipas aktakuzës, ka ndodhur më 27 shtator 2019, në afërsi të fshatit Dobërqan të Gjilanit.

Prokuroria pretendon se teksa i dëmtuari kishte hyrë në tejkalim me veturën e tij dhe kishte shkuar në pozicion paralel me veturën e të akuzuarit, ky i fundit ka nxjerr revolen dhe ia drejton të dëmtuarit dhe një pasagjeri që ishte me të.

Përveç kanosjes, sipas Prokurorisë, Lirim Jakupi ka mbajtur në mënyrë të kundërligjshëm armë të një tipi të panjohur.

Prokurori në fjalën hyrëse tha se dyshimi i bazuar mirë është vërtetuar nga deklarata e të dëmtuarit Erhan Aliu dhe nga deklarata e dëshmitarit tjetër Hakan Rexhepi dhe nga provat materiale në shkresat e lëndës dhe se deri në fund të gjykimit do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit.

Kurse i akuzuari e kundërshtoi aktakuzën duke thënë se deri në fund të gjykimit vetëm se do të vërtetohet pafajësia e tij.

Tutje dëshmitari Erhan Aliu, i cili ishte edhe i dëmtuar në këtë çështje, tha se duke shkuar në shtëpinë e tij bashkë me një shok, me veturë, ka dashur ta tejkalojë një veturë tjetër dhe në atë moment shoferi para tij e ka nxjerrë revolen dhe e ka drejtuar drejt tyre.

“Deri sa kemi qenë në tejkalim e sipër shoku im ka bërtitur: “Na mbyti!”. Pasi e kam parë edhe unë revolen jam lakuar anash në veturën time dhe e kam shtuar shpejtësinë në automjetin tim. Gjatë gjithë kohës shoku im Hakani ka qenë së bashku me mua, nuk kam mund me pa se sa persona kanë qenë në veturën që na ka kanosur pasi që sapo na është drejtu revolja vetëm jemi mbrojtur dhe asgjë tjetër “, tha dëshmitari Erhan Aliu.

Kurse dëshmitari Hakan Rexhepi, i cili ishte në veturë me të dëmtuarin Erhan Aliu, tha të ketë dhënë deklaratë në Prokurori por  se nuk i kujtohet se çka ka thënë aty andaj nuk qëndron pranë asaj deklarate.

“Kam qenë duke pritur Taxi për të shku në shtëpi në Dobërqan, aty më ka marrë Hakani me veturën e tij dhe duke shku në drejtim të Dobërqanit, Erhani ka dashtë ta tejkalojë një veturë, në atë moment e kam parë se shoferi i veturës që ishim duke e tejkaluar e ka nxjerrë revolen nga dritarja e veturës dhe e ka drejtuar  drejt nesh. Atë moment i kam thënë Hakanit se “na mbyti!”, kurse ai e ka thirrur Policinë dhe ua ka treguar rastin”, përfundoi dëshmitari Rexhepi.

Në fund u dha edhe fjala përfundimtare në këtë çështje ku prokurori Shaban Spahiu kërkoi dënimin e të akuzuarit, kurse i akuzuari kërkoi lirimin nga akuza pasi konsideroi se nuk i ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë.

Vendimi lidhur me këtë çështje do të komunikohet nesër.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!