Kryetari i Klinës thotë se nuk ishte në dijeni se vajza e tij ka aplikuar për pozitën e mjekes në QKMF

Kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se vajza e tij ka aplikuar për mjeke në QKMF-në e Klinës deri në momentin kur vajza e tij ka shkuar për intervistë.

Elezaj këtë deklarim e bëri sot në gjykimin ku ai po akuzohet nga prokuroria për rastin e punësimit të vajzës së tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Ai tha se në momentin kur ka kuptuar që vajza e tij ka aplikuar në atë pozitë e ka njoftuar bordin, dhe se nga ai moment çdo veprim është aprovuar dhe nënshkruar nga nënkryetari i komunës.

Ai tha se pjesë e bordit është edhe nënkryetari Besim Hoti, por që tash e ka kuptuar se ai nuk ka qenë prezent në bord.

“Unë personalisht nuk kam biseduar më nënkryetarin, unë çështjen e kam diskutuar në bord, por po del se nënkryetari nuk ka qenë aty”, tha Elezaj.

Prokurorja e rastit, Valbona Disha Haxhosaj e ballafaqoi të akuzuarin me deklaratën e tij të dhënë në prokurori, ku Elezaj ka deklaruar se në momentin që ka kuptuar se vajza e tij ka aplikuar  në këtë pozitë, e ka njoftuar verbalisht nënkryetarin e komunës dhe udhëheqësin e zyrës së personelit.

“Pjesërisht e vërtetë, unë u përgjigja se e kam njoftuar gojarisht bordin që nënkupton se edhe nënkryetari është pjesë e bordit por tash po del qe nënkryetari nuk ka qenë pjesë e bordit”, u deklarua Elezaj lidhur me këtë ballafaqim.

Elezaj hedhi akuza në drejtim të prokurores, pasi sipas tij ajo po e vë atë në lajthitje.

“Të lutna po me qet në lajthitje sikur atje që më ke qitë në lajthitje prokurore, unë nuk jam jurist”, tha ai.

“Jo, nuk po të vë në lajthitje, pse pra nuk po paraqitni kallëzim penal për lajthitje”, tha prokurorja.

Kryetari Elezaj duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Kujtim Kerveshi tha se në Komunën e Klinës nuk ka pasur pikë kontakti me Agjencinë Kundër Korrupsion.

“Jo, këtu ka një shkëputje të zinxhirit sepse këtu dikush është dashur të më njoftojë që ta paraqes konfliktin e interesit me shkrim”, shtoi ai gjatë deklarimit të tij.

Sot në seancë gjyqësore u dëgjua edhe nënkryetari i Klinës, Besim Hoti, i cili e ka nënshkruar kontratën e punësimit të vajzës se kryetarit.

“Unë në mungesë të kryetarit kam nënshkruar pasi janë kryer procedurat, me sa më kujtohet pastaj edhe kontratën, kryetari i ka pasur dy vajza me Fakultet të Mjekësisë, e di që në mungesë të kryetarit i kam nënshkruar vendimet pasi është kryer konkursi”, tha ai.

Hoti tha se asnjëherë nuk ka biseduar me kryetarin Elezaj për punësimin e vajzës së tij, Marigona Elezaj.

Ai tha se personalisht nuk i ka treguar kryetarit që e ka nënshkruar kontratën në kohën e nënshkrimit, por që ai ka njoftuar shefin e personelit për nënshkrimin e akteve në mungesë të kryetarit, dhe se shefi i personelit pastaj e njofton kryetarin për aktet e nënshkruara nga ai si nënkryetar.

“Unë personalisht nuk i kam tregu menjëherë kryetarit, por pas një kohë mundet me ndodh që i kam treguar”, shtoi ai.

Dëshmitari për fund tha se në këtë rast të punësimit të vajzës se kryetarit asnjë kandidati nuk i është mohuar e drejta dhe se nuk ka pas asnjë lëshim në tërë procedurën.

“Nëse është relevante për gjykatën në këtë rast nuk ju ka mohuar e drejta asnjë kandidati dhe unë e kam shikuar edhe njëherë pasi u bë e madhe se mos ka pas ndonjë lëshim, unë  e kam marrë dhe studiuar në veçanti dhe deklaroi me përgjegjësi të madhe se askujt nuk iu ka mohu e drejta”, tha ai.

Në seancën e radhës që është caktuar të mbahet me 23 nëntor, palët në procedurë do të japin fjalën përfundimtare.

Elezaj ishte dënuar nga shkalla e parë me 4000 mijë euro gjobë e po ashtu ishte shqiptuar ndalimi i ushtrimit të profesionit për dy vite.

Rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Prokuroria e Pejës pretendon se kryetari Zenun Elezaj edhe pse e kishte ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në konkursin e datës 2 shkurt 2018, ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies se punës lidhur me po të njëjtin konkurs.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar, kishte përzgjedhur vajzën e kryetarit si më të suksesshmen, duke e punësuar atë në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se kallëzimi penal kundër kryetarit Elezaj është ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Kosovë.