Ish zyrtarët e komunës së Gjilanit para gjyqit për mosrrënimin e objekteve pa leje

 

Merita Cana-Shabani, Shkëndije Mahmuti-Hajdini, Baki Azemi dhe ish-drejtori i Urbanizmit, Valon Shefkiu, janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Gjilanit.

Sipas Prokurorisë katër të akuzuarit gjatë periudhës kohore 2013-2014, në Gjilan nuk kishin ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimi, si dhe rrënimin e objekteve në të cilat është tejkaluar leja e ndërtimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e Komunës së Gjilanit, nuk kishin ekzekutuar masën për rrënimin e këtyre objekteve, duke iu mundësuar personave të ndryshëm përfitim pasuror.

Të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pa fajshëm.

Ky shqyrtim Gjyqësor është urdhëruar nga Gjykata e Apelit e cila e kishte prishur Aktgjykimin e Gjykatës së Gjilanit me të cilin të akuzuarit ishin liruar nga akuza, duke e kthyer këtë çështje në ri gjykim.

Tutje në seancën e sotme u dëgjua dëshmitari Selver Xhelili (Drejtor i Inspeksionit në periudhën kur akuzohen të akuzuarit), i cili deklaroj se qëndron pran deklaratave të dhëna në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Në pyetjen e prokurorit Arben Kadriu, dëshmitari deklaroj se: “Drejtor i Inspeksionit kam qenë në periudhën mars-tetor, të vitit 2014. Në atë periudhë ka pasur shumë vendime për rrënimin e objekteve pa leje, por që unë ju kam përmbajtur një vendimi të drejtorit para meje i cili theksonte se inspektorët kanë pasur përgjegjësi vetëm për dërgimin e dokumentacionit në sektorin juridik, siç janë mbledhja e informatave se a janë duke u ndërtuar objektet me leje ajo jo”, tha dëshmitari.

Tutje ish-drejtori tha se në kohën sa ishte drejtor nuk ka pasur kompani kontraktuese për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje.

“Një hendikep i madh për mua në punën time ka qenë fakti se nuk ka pasur kush t`i rrënoj këto objekte sepse Komuna me dashje apo pa dashje nuk e ka kontraktuar një kompani për këtë punë”, tha tutje dëshmitari Xhelili.

Në vazhdim dëshmitari tha se nuk e di nëse më vonë janë pajisur me leje ndërtimi objektet për të cilat akuzohen ish kolegët e tij.

“Pasi kam pushuar të jem drejtor në Drejtorin e Inspeksionit nuk jam interesuar se a janë pajisur apo jo me leje ato objekte, vetëm e di se po të kishte kompani të kontraktuar për rrënimin e objekteve nga Komuna nuk do të ishin tani të akuzuar ish kolegët e mi”, tha ish Drejtori Xhelili.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Agim Ademi, dëshmitari deklaroi se sa ka qenë drejtor nuk është rrënuar asnjë objekt pa leje.

“Deklarova edhe më herët se në mungesë të kompanisë për rrënim asnjë objekt nuk kemi arritur ta rrënojmë dhe unë nuk kam mundur të angazhoj kompani private për rrënim sepse e di se kisha kryer vepër penale”, tha në fund dëshmitari Xhelili.

Të akuzuarit së bashku me mbrojtësit e tyre deklaruan se qëndrojnë pranë deklarimeve të dhëna në shqyrtimin e kaluar Gjyqësor.

Seanca e sotme u shtye për muajin dhjetor.