Ish-drejtori i Komunës së Drenasit lirohet nga akuza për ndotje të ujit të pijshëm

Idriz Hysenaj, ish-drejtor i Drejtorisë së Infrastrukturës Publike në Komunën e Drenasit është liruar nga akuza për ndotje të ujit të pijshëm.

Hysenaj është liruar pasi që nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale të ndotjes së ujit të pijshëm.

Sipas aktakuzës, Hysenaj nga 5 gushti 2019 e në vazhdimësi në fshatin Tërstenik, Komuna e Drenasit, nga pakujdesia derisa realizonte projektin për shtrirjen e kanalizimit në këtë fshat, nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme për evitimin e rrjedhës së ujerave të zeza të cilat kanë vërshuar në pusin e ujit të pijshëm të familjes së Musa Kukajt.

Gjykata e ka liruar Idriz Hysenaj nga akuza pasi që nuk ka mundur të vijë në përfundim se uji ishte i pijshëm dhe se përdoroj për pije dhe gatim nga familja e të dëmtuarit.

Po ashtu, Gjykata ka gjetur se nuk ishte marrë asnjë mostër e ujit që pretendohet të ishte i pijshëm për tu analizuar nga Instituti kompetent për konstatimin e ndotjes së ujit, nga çka është ndotur dhe shkallën e rrezikshmërisë së ndotjes së ujit.

Po ashtu Gjykata ka gjetur se Musa Kukaj nuk ka dërguar asnjë raport mjekësor me të cilin do të vërtetonte se familjarët e tij janë sëmurë nga përdorimi i ujit të pijshëm.

Ndërsa avokati Nasuf Hasani, mbrojtës i Idriz Hysenaj ka deklaruar se “Gjykata ka vlerësuar drejt në rastin e lirimit të Idriz Hysenaj dhe ka vërtetuar se aktakuza si e tillë ishte ngritur duke u bazuar në insinuata të disa individëve se kinse ishin dëmtuar”.

Po ashtu avokati Hasani ka shtuar se “Si rrjedhojë e kësaj Prokuroria e Prishtinës, pa asnjë analizë paraprake e akuzonte Idriz Hysenaj se kishte ndotur ujin e pijshëm të palës së dëmtuar, çka këtë pretendim e hodhën poshtë gjatë shqyrtimit gjyqësor dëshmitarët e propozuar nga vet prokuroria siç ishin inspektorët komunal të cilët kishin deklaruar se nuk kishin prezantuar te bunari i ujit ku dyshohet se ishte ndotur uji”.

Idriz Hysenaj ishte shkarkuar nga Ramiz Lladrovci në tetor të vitit 2019 pas dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lladrovci e shkarkon drejtorin e dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare