Ilustrim.

Policia arreston një person për rrëmbim të një vajze në Gjakovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar personin me inicialet M.U. (1987) pasi dyshohet se ka rrëmbyer me forcë një vajzë.

Sipas policisë, i dyshuari dyshohet se krimin e ka kryer sot pasdite në një rrugë të Gjakovës dhe është larguar në drejtim të panjohur.

“Sot me datën 15.09.2023 rreth orës 15:20, Stacioni Policor në Gjakovë ka pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore në rrugën “Yll Morina” në Gjakovë kishte tërhequr me forcë një grua nga një taksi dhe e kishte futur në veturën e tij dhe ishte larguar në drejtim të panjohur” – thuhet në njoftim.

Policia thotë se me të marrë njoftimi ka nisur punë për zbardhjen e rast.

“Pa humbur kohë është filluar me mbledhjen e informatave dhe pas një procesi operativ dhe hetimor është arritur të identifikohet dhe të arrestohet i dyshuari me inicialet M.U., mashkull kosovar i lindur në vitin 1987 mbi dyshimin se kishte privuar nga liria viktimën (femër e moshës madhore) dhe i kishte shkaktuar lëndime trupore”- thuhet në njoftim.

Po sipas policisë, viktimës iu është ofruar ndihma mjekësore. I dyshuari është ndalur në mbajtje, ndërsa rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”.