Lladrovci e shkarkon drejtorin e dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Kryetari i Komunë së Drenasit, Ramiz Lladrovci e ka shkarkuar nga detyra Drejtorin e Infrastrukturës, Idriz Hysenaj, i cili po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Një vendim i  Gjykatës në Prishtinë sot i caktoi Hysenajt masën e arrestit shtëpiak deri më 15 nëntor,

“Pas vendimit të sotëm të Gjyqit ndaj z. Idriz Hysenaj, e lirova nga detyra e Drejtorit të Infrastrukturës publike në komunë. Kam besim te institucionet përgjegjëse se do të marrin vendim duke rikonfirmuar përkushtimin e tij korrekt dhe në pajtim me ligjin, ashtu siç e kemi njohur”, ka shkruar Lladrovci.

Lladrovci kur ishte arrestuar Hysenaj, pati thënë se do të marrë vendim pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e tij.

Në kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të siguruar gjatë ditës së djeshme nga KALLXO.com thuhet, se Idriz Hysenaj që nga viti 2014 duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, u ka dhënë me qira qytetarëve banesat që kanë qenë në pronësi të komunës.

“Midis periudhës kohore që nga viti 2014 deri më tani në vazhdimësi si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo zutoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij në atë mënyrë që në cilësinë e personit zyrtar – drejtor në Komunën e Drenasit në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe biznesin e tij ua ka dhënë  me qera banesat men nr. 37, kati i 6, nr. 36, kati 6, nr. 29 kati i 5, nr.45 kati i 7, nr. 28 kati 5, nr 38 kati 6 të cilët kanë qenë pronë e Komunës së Drenasit”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, këto banesa u janë dhënë për shfrytëzim personave të caktuar si Naim Kukalaj, Durim Halilaj, Labinot Bazaj, Jeton Ramaj dhe Minire Saliuku.

“Kurse në disa raste u ka dhënë në shfrytëzim banesat të cilat kanë qenë pronë e Komunës së Drenasit personave të caktuar nga të cilët kishte marr tokat e tyre për ndërtim të banesave nga ana e firmës së tij ‘Kulla Com’ deri në përfundimin e banesave.

Prokuroria më tej thekson se, në një rast tjetër, zyrtari komunal i ka ofruar në shfrytëzim banesën pronë e komunës një qytetari që kishte blerë banesë nga i dyshuari deri në përfundim të banesës që e kishte blerë.

Në këtë mënyrë, sipas Prokurorisë, i njëjti Komunës së Drenasit i kishte shkaktuar dëm të madh material, ndërsa vetes dhe kompanisë së tij i kishte sjell dobi të kundërligjshme pasurore.

Arrestimi i drejtorit të Komunës së drejtuar nga kryetari Ramiz Lladrovci vjen pak ditë pas përfundimit të fushatës zgjedhore, gjatë të cilës PDK, me kryetarin e saj dhe kandidatit për kryeministër, Kadri Veseli, e kishte shpallur prioritet luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

KALLXO.com raportoi kishte raportuar se Policia e Kosovës ka arrestuar drejtorin e Infrastrukturës në Komunën e Drenasit, Idriz Hysenaj nën dyshimin se për interesa personale dhe të kompanisë së tij (kompani për ndërtimin e objekteve banesore) ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.

KALLXO.com, muaj më parë ka raportuar se si familjes së Minire Saliuku nga Drenasi i ishte kërkuar që brenda 7 ditëve duhet t’u gjejë vend tjetër banimi në njërën nga banesat e lartë përmendura.

Minire Saliuku kishte marrë një njoftim nga komuna e Drenasit që për një javë ta lirojë banesën të cilën është duke e shfrytëzuar tash e pesë vjet.

Gruaja e dëshmorit dhe vajza e plagosur mbesin pa shtëpi

www.kallxo.com