I akuzuari në vuajtje të dënimit, dështon gjykimi për mashtrim me viza pune

Seanca gjyqësore ndaj Flamur Hoxhës dhe Besim Rexhajt të cilët po akuzohen për mashtrim me viza pune të rreth 500 qytetarëve, ka dështuar që të mbahet sot në Gjykatën e Prizrenit.

Hoxhaj dhe Rexhaj nga Prokuroria Speciale po akuzohen se në vazhdimësi dhe bashkëkryerje kanë kryer veprën penale shpëlarje parash, mashtrim, falsifikim të dokumenteve dhe shmangie nga tatimi.

Shkak i dështimit të seancës së sotme ishte mungesa e të akuzuarit Besim Rexhaj, i cili gjendej në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës.

Sipas gjykatësit Xheladin Osmani, meqenëse avokati Miftar Qelaj sot kishte njoftuar gjykatën për mungesën e Rexhajt në gjykim, gjykata e kishte të pamundur sigurimin e të akuzuarit në seancën e sotme.

Në këtë gjykim, nuk ishin prezent po ashtu edhe prokurori i Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu, përfaqësuesi i ATK-së, Agron Ndrecaj si dhe dëshmitarët Hasan Veliu dhe Agron Thaçi të cilët ishin njoftuar paraprakisht për mosmbajtjen e kësaj seance.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme nuk u mbajt, e njëjta u caktua për datat 7 dhe 11 mars 2022.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj në periudhën kohore 2016 – 2017, në Prizren, me qëllim të përfitimit për vete dhe persona të tjerë, kanë mashtruar një numër shumë të madh të qytetarëve të Kosovës, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, duke marrë prej tyre nga 2,500 – 3,000 euro.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit fare nuk i kanë punësuar të dëmtuarit në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë, transferuar ato te persona të tjerë, pastaj duke shtresuar pasurinë e paligjshme përmes blerjes së pronave të luajtshme si vetura të shtrenjta, apo të paluajtshme, shtëpi dhe banesa.

Kështu të njëjtit akuzohen nga Prokuroria se kanë përvetësuar shumën prej 1,220,175.00 euro, nga kjo kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1,068,775,00 euro.

Për këto akuza, Gjykata në Prizren më datë 9 janar 2020, me vetëm 10 vite burgim i kishte dënuar të akuzuarit për mashtrim të rreth 500 qytetarëve.

Gjykata e Apelit vendos për rastin ku 500 qytetarë janë mashtruar me viza pune gjermane

Flamur Hoxha, ishte dënuar me 6 vite burgim dhe 21 mijë euro, ndërsa Besim Rexhaj me 4 vite burgim dhe 12 mijë euro.

Ndaj të akuzuarve ishte shpallur edhe dënimi plotësues, ku Flamur Hoxhës i konfiskohet një shtëpi, një veturë “BMW X5”, si dhe një “Audi”, kurse të akuzuarit Rexhaj i konfiskohet një banesë me garazh, si dhe një veturë e tipit “Polo”

I akuzuari i tretë, Veprim Rexhepi, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht për falsifikim të dokumenteve.

Mirëpo, vendimi i Themelores nuk e gjeti mbështetjen e Apelit, pasi kjo gjykatë e shkallës së dytë më 28 shtator 2020, vendosi që çështjen ta kthejë në rigjykim.

Gjykata e Apelit vendos për rastin ku 500 qytetarë janë mashtruar me viza pune gjermane