Haki Rugova thotë se kontratën me kompaninë e familjes së tij e ka nënshkruar aksidentalisht

Haki Rugova ka dal sot para gjykatës për të dhënë versionin e tij për akuzën për konflikt interesi lidhur me tenderin që fitoi vëllai i tij.

Aktakuza për konflikt interesi ndaj kryetarit të komunës së Istogut Haki Rugova, është ngritur me mars të vitit 2018, ndërsa sot pas më shumë se 3 viteve këtij procesi po i vie fundi.

Rugova para trupit gjykues se nënshkrimi i kontratës për tenderin që i ishte dhënë vëllait të tij, ishte bërë në mënyrë aksidentale nga ana e tij, pasi që i ishte sjellë në mesin e shumë dokumenteve për nënshkrim.

“Kryetari i komunës nuk merret me prokurim, ajo kontratë si zakonisht kryetari komunës i është sjellur në mesin e shumë dokumenteve dhe kontratave që duhet nënshkruar, dhe unë e kam një praktikë që vendosi nënshkrimin pas nënshkrimit të një zyrtari që është kompetent për atë çështje, e kur vjen nga zyra ligjore as nuk e lexoj por e nënshkruaj”, tha ai.

Rugova duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha, deklaroi se ai nuk ka marrë pjesë në atë proces të prokurimit ngase edhe ligjërisht nuk ka të drejtë.

“Natyrisht që nuk kam marrë pjesë, ngase ligjërisht nuk kam të drejtë, janë komisionet e veçanta që e rekomandojnë zyrën e prokurimit kush është apo cili operator është i favorshëm për këtë dhe i plotëson kriteret”, tha Rugova.

Avokati Berisha kërkoi nga i pandehuri që të e njoftojë gjykatën se a është favorizuar në ndonjë formë të kundërligjshme kompania e vëllait të tij.

I akuzuari Rugova tha se nuk ka pas favorizim.

“Nuk më kujtohet se a ka qenë më e lira, nuk ka pas konkurrencë të madhe, nuk ka pas favorizim”, tha ai.

Në anën tjetër pasi avokati Berisha përfundoi me pyetjet e tij e këshilloi Rugovën që tutje të e shfrytëzoj të drejtën e tij për të u mbrojtur në heshtje, pasi që sipas tij i mbrojturi i tij e përjashtoi involvimin e tij në këtë proces të prokurimit, duke thënë se nënshkrimi është bërë në mënyrë aksidentale.

“E bazuar në parimin se barra e të provuarit i bie prokurorisë, nga ky moment e kam këshilluar që të shfrytëzojë të drejtën e tij për të mos u deklaruar lidhur me çështjen deri në fjalën përfundimtare”, shtoi Berisha lidhur me këtë çështje.

Po ashtu Rugova tha se gjatë marrjes në pyetje në prokurori, përkundër asaj që prokurori e kishte njoftuar për të drejtën e tij për të angazhuar mbrojtës, ai i kishte thënë se nuk ka nevojë për mbrojtës.

“Por tha preferoj që nuk ki nevojë për avokat se e kryjmë shpejtë, unë nuk e kam marrë seriozisht se kam qenë i bindur se nuk kam bërë asnjë lloj shkelje”, tha Rugova.

Sot në seancë gjyqësore ishin të ftuar për të dëshmuar dëshmitarët Zize Bujupaj, Naser Gjocaj, Rrustem Gashi, Sylë Maksutaj.

Por me propozim të prokurorit deklaratat e dëshmitarëve u lexuan me qenë se të njëjtit ishin dëgjuar në shqyrtimet e mëhershme gjyqësore.

Këtë nuk e kundërshtoi as mbrojtësi i të akuzuarit Haki Rugova, avokati Besnik Berisha.

Ndërsa Gani Rugova i vëllai i kryetarit Haki Rugova, tha se nuk dëshiron të deklarohet duke shfrytëzuar të drejtën e tij për  lirimin nga detyrimi për të dëshmuar.

Avokati Besnik Berisha lidhur me dëshminë e Gani Rugovës të dhënë te prokurori i shtetit, kërkoi që e njëjta mos të merret parasysh me rastin e këshillimit dhe votimit, ashtu që të trajtohet si provë e papranueshme.

Kjo pasi sipas tij e njëjta nuk është marrë në përputhje me dispozitat ligjore të cilat këtij dëshmitari i japin të drejtën për lirim nga obligimi për të dëshmuar.

Fjala përfundimtare e palëve është caktuar për ditën e hënë me fillim nga ora 15:00.

Aktakuza për konflikt interesi, ndaj të parit të Istogut, Haki Rugova erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Internews Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ ndaj Haki Rugovës për shkak të mundësisë së veprës penale konflikt i interesit”, thuhej në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Rugova akuzohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i kanalizimit fekal në fshatin Cerrcë-Lubozhdë- faza e parë”.

Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës (vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, duke mundësuar kështu interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personin juridik që ka të bëjë me të.

Rugova është duke u hetuar edhe për një rast tjetër penal pranë prokurorisë së Pejës.