Seanca ndaj Bedri Krasniqit, i akuzuar për vrasjen e një polici të Kosovës dhe një polici të UNMIK-ut (21.07.2023), Foto: KALLXO.com

I akuzuari për vrasjen e policëve në vitin 2004: Në Pejë ka qenë situatë e nxehtë pas luftës, 30 shokë m’i kanë vra, edhe unë kam qenë në listë

Bedri Krasniqi dhe Alban Dizdari, të akuzuar për vrasjen e një polici të Kosovës dhe një polici të UNMIK-ut, janë ulur sërish në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës.

Në seancën e së premtes, i akuzuari Bedri Krasniqi paraqiti mbrojtjen e tij para trupit gjykues.

I akuzuari Krasniqi nisi rrëfimin para trupit gjykues për ditën kritike të ngjarjes për të cilën edhe ngarkohet penalisht.

I njëjti theksoi se ditën kritike, kishte shkuar nga Gjakova në Podujevë për të dërguar disa armë për qëllim që së bashku me grupin e shokëve të tij, kishin pasur plan ta ‘rregullonin’ çështjen e Mitrovicës në vitin 2004, për të ndaluar shpërnguljen e shqiptarëve.

“Gati në të gjitha zonat e Kosovës, kishim qenë të mobilizuar që në muajin maj, po planet na i kanë prish trazirat e marsit, kemi dashtë me hi me rregullu çështjen e Mitrovicës me forcë, këto armë kanë qenë për këtë qëllim’’ – deklaroi ai.

Prokurorja e rastit, Habibe Salihu, e pyeti të akuzuarin lidhur me këto municione të armëve.

I akuzuari Bedri Krasniqi e sqaroi llojin e armëve që kishin bartur.

“Armë ka pasë prej automatikëve deri ne 12.7sh ose gulinov, zolla, murtaja e municione të ndryshme’’ – tregoi ai.

Krasniqi shtoi tutje se i ndjeri Agron Sylejmani, Xhafer Zymberi edhe një person tjetër e kishin kryer këtë porosi për armë.

“E di që i kanë porositë rreth 500 mijë euro vlerë për këto armë, 350 mijë euro janë paguar paraprakisht ndërsa 150 mijë euro janë paguar atë natë” – ka rrëfyer Krasniqi.

I akuzuari Bedri Krasniqi u pyet nga trupi gjykues se pse dëshmitari Shkumbin Mehmeti e kishte përmendur emrin e tij. I njëjti tha se arsyeja që dëshmitari Shkumbin Mehmeti e kishte inkriminuar për veprat penale që ngarkohet nga Prokuroria, qëndron te fakti se të njëjtit i ishte premtuar falja e burgut nga Presidenti i Shtetit, nëse do të përmendte të akuzuarin Krasniqi si të dyshuar në listën e tij.

Tutje, i akuzuari Krasniqi tha se me dëshmitarin Mehmeti kishte qëndruar më 24 mars, me qëllim që ta pyeste se si ishte vrarë Agron Sylejmani pasi që të njëjtin e kishte pasur shok.

Ndërsa kur u pyet se si e njihte të akuzuarin Alban Dizdari, Krasniqi tha se e kishte bashkëvendës, meqë të dy vijnë nga Peja dhe që së bashku kishin marrë pjesë me 23 mars në Podujevë tek rasti i bartjes së armëve drejt Mitrovicës.

Ndërsa lidhur me faktin nëse i kishte njohur personat e tjerë që janë të përfshirë në aktakuzë, Krasniqi tha se e ka njohur vetëm Xhavit Kosumin, ndërkaq të tjerët i kishte njohur në burgun e Dubravës.

I akuzuari Krasniqi deklaroi se ka qenë në arrati dy herë, në herën e parë ishte arratisur tri vite në Prishtinë kurse herën e dytë 2 vite duke mos treguar se ku.

“Unë gjatë luftës kam qenë pjesëtar i UÇK-së, gjatë luftës janë zhduk disa persona edhe LDK-ja më ka akuzu direkt mua, edhe anëtari i LDK-së që më ka akuzuar, unë e kam pasë ilake, gjatë luftës më ka lajmëru edhe në stacion policor në Qallapek, edhe familja ime e ka pasë një sulm nga të njëjtit’’ – shtoi ai.

I njëjti theksoi se të gjitha pasojat i kishte pasur nga ky rast dhe për këtë edhe ishte arratisur.

I njëjti, theksoi se në vitin 2002 forcat ndërkombëtare të UNMIK-ut së bashku me të Hagës tentonin ta akuzonin dhe ta nxisnin për dëshmi në Hagë.

“Knej edhe me akuzojshin, e knej u munojshin me me bo dëshmitar në Hagë” – shtoi më tej.

Lidhur më këtë periudhë, i akuzuari theksoi se pas luftës, situata në Pejë kishte qenë kaotike.

“Në Pejë ka qenë situatë shumë e nxehtë pas luftës, 30 shokë m’i kanë vra pas luftës, bandat e LDK-së m’i kanë vra, edhe unë kam qenë në listë të ekzekutimit” – tha Krasniqi.

“120 vrasje në Dukagjin, i vetmi njeri i dënuar jam unë” – shtoi ai.

I akuzuari Krasniqi pretendon që edhe Agjencia Kosovare e Intelegjencës kishte tentuar ta ekzekutonte gjatë qëndrimit të tij në burgun e sigurisë së lartë në Dyz.

“Kam pasë me u ekzekutu prej AKI-së në burgun e sigurisë së lartë, është e faktume, po e kanë mbulu’’ – tha Krasniqi.

Tutje, i njëjti theksoi se vazhdon të jetë i përndjekur nga grupet e caktuara politike të Lidhjes Demokratike e Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

I akuzuari Krasniqi në fund të mbrojtjes së tij, iu drejtua trupit gjykues me fjalët “as edhe një fakt se keni kundër meje, bash asnjë hiq, e di propagandën kundër meje, e di që se keni lehtë as ju’’.

“Po të kisha dashtë veç dy veta i kisha vra edhe sot isha i lirë” – theksoi ai.

Kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, Prokuroria e EULEX-it më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë për shkak të kryerjes së veprave penale – vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë.

Të akuzuar të tjerë në këtë rast për vrasjen e policit të Kosovës dhe të policit të UNMIK-ut kanë qenë edhe Bajram Kiçmari, Faik Shaqiri, por pas marrjes së aktvendimit nga  Gjykata Supreme në shtator 2017, ata ishin liruar pasi që të dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë dhe se ka një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin, ndërsa Shkumbin Mehmetin e kishte shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 30 vite burgim, më 9 nëntor 2007.

Kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiçmari, Faik Shaqiri, Prokuroria e EULEX-it më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë për shkak të kryerjes së veprave penale – vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 23.3.2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Më tutje theksohet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë në detyrë.

Zyrtari i Policisë së Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli, kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur.

Sipas, aktakuzës së EULEX-it, të akuzuarit me qëllim kishin rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët ishin në automjete që vinin pas veturës së UNMIK-ut, si dhe këto dy vrasje.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.