Foto: Kallxo.com

Gjykimi për plagosjen e të dashurit të motrës: “Çka t‘kom bo që ke dasht me m’vra?”

Gjykimi ndaj Hekuran Sokolit, i akuzuar për tentim vrasje, vazhdoi sot me marrjen në pyetje nga i dëmtuari Leon Shabani.

Ky i fundit, në kohën kur kishte ndodhur incidenti, ishte i dashuri i Rajmondës, motrës së tani të akuzuarit Hekuran Sokolit.

Ai e pyeti sot të akuzuarin Sokoli lidhur me deklaratën e tij të dhënë më parë rreth natës që kishte ndodhur tentim vrasja.

Rrëfen i akuzuari se tentoi ta vrasë të dashurin e motrës

Nisur nga një deklaratë në seancën e kaluar kur kishte thënë se Leon Shabani e kishte kërcënuar, Sokoli u pyet nga Shabani pse nuk e kishte raportuar rastin në polici.

“Nuk e kam paraqitë rastin për kërcënim për arsye se nuk kam dashur të bëhem shkas që ti dhe Rajmonda të keni probleme”, u përgjigj Hekuran Sokoli.

“Si je ndier i rrezikum nga unë kur unë kam qenë i plagosur, i paarmatosur plus më ke vjedhë veturën dhe ke ikë nga vendi i ngjarjes”, ishte pyetja e radhës për Hekuran Sokolin.

Edhe për këtë pyetje, Hekuran Sokoli dha një përgjigje.

“Sepse ju Leon Shabani më keni kërcënuar me jetë dhe keni tentuar të më godisni me shkelm në fytyrë pa ju kërcënuar, pa ju ofenduar. Nëse nuk do të vinit në shtëpinë time, asnjëherë s’do ju kishte ndodhur asgjë”, tha ai.

I dëmtuari vazhdoi duke e pyetur se “ti ke  qenë në shtëpinë tënde dhe ke qenë në dijeni që do të vij për Rajmdonën, a e ke planifiku krejt rastin që ke dashtë me m’vra mu qat natë’’.

“Absolutisht jo”, deklaroi i akuzuari Hekuran Sokoli.

“Nëse mendoni se unë jam shkaktar i ndarjes me Rajmondën mund të bashkoheni lirisht, por nuk mund të vini në shtëpinë time ne gjysëm të natës dhe të më fyeni se këtë se thotë as feja, as ligji, as kanuni”, vazhdoi i akuzuari Sokoli.

“Çka t‘kom bo që ke dasht me m’vra, kur unë as nuk i jam afru shtëpisë”, ishte pyetja e radhës për në të cilën Sokoli nuk dha përgjigje.

Gjithashtu i akuzuari Hekuran Sokoli u pyet edhe nga gjykatësit lidhur me ditën kritike dhe armën që kishte përdorur.

Sokoli deklaroi se arma ishte e familjes për një kohë të gjatë ka ditur ta përdorë atë.

“Na jemi një shoqëri e dalë nga lufta”, tha ai.

Sokoli tregoi për gjykatën se sa fishekë kishte në karikator dhe sa prej tyre i kishte shkrepur por nuk iu kujtua se të çfarë kalibri ishin këta fishekë.

“Në karikator kam pasur pesë deri në 6 fishekë. Atë natë i kam shkrepur vetëm dy plumba dhe nuk jam i sigurt nëse fishekët ishin 7 apo 9 mm”, tha ai.

“Nga pozicioni që kam qenë dhe në largësinë prej 3 metrave po të kisha dashur kam mujt me vra”, tha ai.

E kur u pyet nga gjyqtari Naser Foniqi se a i kishte kërkuar falje të dëmtuarit, i akuzuari Hekuran Sokoli deklaroi se “krejt qa mundem me thanë është se më vjen keq, por nuk jam fajtor”.

Seanca e radhës u caktua për 9 dhjetor në të cilën do të jepen fjalët përfundimtare dhe do të përfundojë gjykimi.

Sipas aktakuzës, më 23 nëntor 2016, në Prishtinë, i dëmtuari Leon Shabani, (i dashuri i motrës së të akuzuarit) ishte para shtëpisë së të akuzuarit duke e pritur të dashurën e tij.

Në ato momente, sipas prokurorisë, i akuzuari Hekuran Sokoli, nga terrasa e shtëpisë kishte gjuajtur dy herë me armë ‘’Ekol Special’’ të kalibrit 9 mm duke e plagosur Shabanin në pjesën e djathtë të barkut.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas, i akuzuari kishte ikur nga vendi i ngjarjes me veturën e të dëmtuarit Leon Shabani. Ndërsa të nesërmen më 24 nëntor 2016, i akuzuari ishte dorëzuar vullnetarisht në polici ku kishte dorëzuar edhe armën me të cilën kishte shtënë në Leon Shabanin.