Gjykimi ndaj Hekuran Sokolit (Arkiv). Foto: Kallxo.com

Rrëfen i akuzuari se tentoi ta vrasë të dashurin e motrës

Hekuran Sokoli, i akuzuar se tentoi ta vrasë Leon Shalën ka dalur sot para Gjykatës së Prishtinës.

Sokoli i cili po akuzohet për tentimvrasje dhe armëbajtje pa leje e pranoi se ka dashur ta vrasë të dashurin e motrës së tij.

Sipas aktakuzës, me datën 23 nëntor 2016, në Prishtinë, i dëmtuari Leon Shala, (i dashuri i motrës së të akuzuarit) ishte para shtëpisë së të akuzuarit duke e pritur të dashurën e tij.

Në ato momente, sipas prokurorisë, i akuzuari Hekuran Sokoli, nga terrasa e shtëpisë kishte gjuajtur dy herë  me armë ‘’Ekol Special’’ të kalibrit 9 mm duke e plagosur Shabanin në  pjesën e djathtë të barkut.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas, i akuzuari kishte ikur nga vendi i ngjarjes me veturën e të dëmtuarit Leon Shabani.

Ndërsa të nesërmen me datën 24 nëntor 2016, i akuzuari ishte dorëzuar vullnetarisht ne polici ku kishte dorëzuar edhe armën me të cilën kishte shtënë në Leon Shabanin.

Sot para Gjykatës i akuzuari rrëfeu se si ishte ndier i rrezikuar nga tashmë i dëmtuari Leon Shabani.

‘’Leoni disa herë kishte hyrë në shtëpinë tonë, ai e kishte ndërruar cilindrin e derës së dhomës së Rajmondës. Me datën 23 nëntor 2016, Leoni ishte në pronën tonë, Rajmonda më ka thënë se e kishte parë Leonin në shtëpi por unë nuk e kam parë’’ deklaroi i akuzuari.

Ai shtoi se i dëmtuari e ka sharë  dhe ka tentuar ta shkelë me veturë.

‘’Fillimisht isha në oborr, pastaj kam shkuar  në dhomën time e nga aty kam dalë në ballon dhe Leoni ishte ne shtëpinë time duke më kërcënuar mua me fjalët klloshar, më ka sharë me familje, me nënë e më motra, më ka thënë se ka me të vra, e më kujtohet edhe rasti kur ka dashur të më shkelë me veturë’’, vazhdoi tutje ai.

Ai tha se  ka shtënë dy herë me armë, “një herë në tokë dhe një herë në ajër’’.

Lidhur me armën që prokuroria po e akuzon se e mbajti pa leje, i akuzuari  tha se ‘’arma është e familjes”.

Ai e pranoi se armën e ka përdorur “ me qëllim që ta vrasë Leon Shabanin” dhe tha se ishte nën tronditje të fortë mendore’.

Marrja në pyetje e të akuzuarit Sokoli u ndërpre për të vazhduar me datën  6 dhjetor.