Gjykimi për mashtrim me viza, kundërshtohet ekspertizën financiare

Në gjykimin e M. Z. (ish-deputet i Kuvendit të Kosovës), dhe dy të akuzuarve të tjerë I. K. dhe E. K., në rastin e mashtrimit me viza pune gjermane, ka vazhduar dëshminë e saj Fërdeze Tërshnjaku, eksperte për çështje ekonomike.

Kujtojmë se mbrojtësi i të akuzuarit I. K., avokati Ramiz Krasniqi në seancën e kaluar kishte propozuar që fillimisht të pajiset me procesverbalin e pastaj të parashtrojë pyetje për eksperten në seancën e sotme.

Tërshnjaku në pyetjet e avokatit Ramiz Krasniqi ka deklaruar se mjetet për 354 personat që nuk ishin pajisur me vizë kishin filluar të kthehej me 3 qershor 2016, duke thënë se nuk kishte pasur njohuri se i akuzuari I. K. me 4 shtator 2017 ishte arrestuar.

Më pas dëshmitarja tregoi se sipas përshkrimeve të bankës, në llogarinë rrjedhëse personale të I. K., vërehet se ishin bërë katër deponime me përshkrim të bankës deponim i mjeteve të I. K. nga puna në Gjermani, në vlerë 78,790 euro.

Ndërsa në pyetjet e avokatit Kujtim Kërveshi, i cili e mbronte të akuzuarin E. K., se a ekzistonte një kthim huazimi në vlerë prej 58,000 euro nga “Qendra e Mjekësisë Fizikale”, mjete të cilat nga kjo qendër iu ishin kthyer të akuzuari M. Z. si kthim huazimi për M. Z., ekspertja është përgjigjur se po kishte ekzistuar ai kthim huazimi.

“Kam konstatuar se në llogarinë bankare të M. Z. duke iu referuar raporteve të bankës janë realizuar transfere hyrëse me 6 shtator 2016 nga Qendra e Mjekësisë Fizikale në vlerë 58,000 euro, me përshkrim të bankës, kthim huazimi për M. Z., dhe po ashtu janë realizuar 11 transfere hyrëse nga E. K. në vlerë 153,000 euro me përshkrim të bankës, kthim-huazimi”, tha ekspertja.

Tutje Tërshnjaku ka deklaruar se mjetet e transferuara për blerjen e banesës ishin transferuar nga llogaria individuale e të akuzuarit M. Z., në llogarinë e subjektit afarist “ENK & CO”, Sh.P.K, me pronar E. K., nga llogaria e të cilit ishte bërë kthimi i mjeteve në llogari të të akuzuarit M. Z.

Pas kësaj ka reaguar avokati i E. K., Kujtim Kërveshi i cili tha se Prokuroria Speciale nuk paska njohuri se çka përbën zotësia juridike e personit juridik nga ajo e personit fizik.

“Për një pasaktësi që e ka sjellë E. K. këtu, për një afarist që ka qarkulluar në Kosovës 300 milionë euro që nga paslufta dhe janë mbyllur edhe llogaritë bankare, sepse Policia jonë dhe Prokuroria, nuk ka njohuri se çka përbën zotësi juridike e personit juridik e ndarë nga ajo e personit fizik”, tha avokati Kërveshi.

Tutje ai shtoi se i akuzuari E. K. përmes tij ka pasur nevojë ta kuptojë se prokuroria kur është përgatit kjo ekspertizë dhe aktakuzë nuk e kanë ditë se mjetet janë kthyera nga llogaria private e të akuzuarit E. K.

“E. K. përmes meje ka pasur nevojë me e kuptuar se Policia dhe Prokuroria, kur është përgatitur kjo ekspertizë dhe aktakuza nuk e paskan ditë se mjetet nuk janë kthyer nga llogaria e biznesit por nga llogaria private e E. K.”, tha avokati.

Kurse i akuzuari M. Z., më pas tha se vet prokurori që e kishte përpiluar këtë aktakuzë, i kishte thënë atij se nëse mund ta vërtetojnë se paratë nuk kishin ardhur nga kompania e të akuzuarit E. K. tek ai por M. Z. tek kompania e tij, atëherë sipas tij, E. K., nuk do të akuzohej.

“Çelësi i krejt këtij gjyqi është kjo pyetje, prokurori Afrim Shefkiu më ka thënë diçka që unë po dua me pyet eksperten, po të ma vërtetosh se paratë nuk kanë ardhur nga kompania “ENK & CO”, tek unë por prej meje te kjo kompani, atëherë E. K. nuk akuzohet. E. K. privatisht m`i ka kthyer mua paratë… janë bërë dhjetë transfere vetëm në bazë të fletës poseduese pasi vet komuna ka kërkuar”, tha i akuzuari M. Z.

Pas deklarimit të ekspertes vërejte në këtë ekspertizë ka paraqitur avokati Kujtim Kërveshi, sipas tij kësaj ekspertize klienti i tij ia ka parë sherrin, për shkak të pasaktësisë absolute, të ngatërrimit e bashkimit të subjektit juridik.

Më pas avokati Kërveshi i ka propozuar Gjykatës që kjo ekspertizë të veçohet nga shkresat e lëndës pasi sipas tij e njëjta ishte jo profesionale dhe si e tillë nuk mund të qëndroj në një gjykim të drejtë dhe të pavarur.

Vërejtje në këtë ekspertizë ka paraqitur edhe i akuzuari M. Z., ku sipas tij ekspertja me qëllim nuk ishte përgjigjur në një pyetje të thjeshtë përreth dy orë.

Ndërsa është dëgjuar edhe dëshmitari Muhamet Koca, i cili ka deklaruar se me kompaninë e të akuzuarit E. K. kishin lidhur kontratë për ndërtim të përbashkët, ndërsa sipas tij invenstitor kishte qenë kompania e tij “Nartel Design”.

Sipas dëshmitarit i akuzuari M. Z. kishte blerë banesa prej kompanisë së të akuzuarit E. K., pagesat e të cilave tha se i kishte kryer me të akuzuarin E. K.

Prokuroria e akuzon ish-deputetin dhe dy të akuzuarit e tjerë për veprat penale mashtrim, shmangie nga tatimet dhe pastrim të parave.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se M. Z. dhe I. K., që nga viti 2016 deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kishin themeluar biznesin si agjenci punësimi, duke paraqitur fakte të rreme për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, duke mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të akuzuarit nga Prokuroria ngarkohen se si në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të mashtrimit dhe shmangie nga tatimi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit ngarkohen se lidhur me veprat penale të mashtrimit dhe shmangies nga tatimi kanë kryer edhe veprën penale pastrimi i parave.