Gjykimi i bazuar në aktakuzën e ngritur nga ekspertiza e mjekut jo ligjor

Trim Limoni, i akuzuar për lëndim të rëndë trupor ka dalur para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me akuzën e Prokurorisë e cila atë e ngarkon me veprën penale lëndim i rëndë truporë.

Kualifikimi juridik i aktit akuzues, se i akuzuari Trim Limoni, ka shkaktuar lëndim të rëndë truporë për të dëmtuarin Ismajl Rrahmani dhe lëndim të lehtë trupor për të dëmtuarin Rinor Rrahmani, del se është sugjeruar nga ekspertiza e datës 09.07.2021, e të cilën e ka hartuar “eksperti mjekoligjor”, nga Gjilani Sejdullah Mahmuti.

KALLXO.com ditë më parë ka zbuluar se doktorë, kirurgë dhe ortopedë në Komunën e Gjilanit po angazhohen nga Prokuroria Themelore në Gjilan si ekspert mjekoligjor në kundërshtim me ligjin pasi nuk kanë të përfunduar specializimin e mjekësisë ligjore.

Ata pranojnë aktvendime për kryerjen e ekspertizave nga ana e prokurorëve të Gjilanit, kanë qasje në dosjet penale dhe kryejnë ekspertiza mjeko-ligjore edhe pse nuk janë pjesë e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Ka disa vite që Prokuroria e Gjilanit po angazhon si ekspert mjeko-ligjor doktorët Sejdullah Mahmuti, Islam Rashiti, Musa Jashari, Rrahman Hajdari dhe të tjerë.

Secili nga këta doktor angazhohet 2, deri në 10 herë në muaj për dhënien e ekspertizave mjeko-ligjore, anise specializimin e kanë të kryer për kirurg apo ortoped.

Përmes konstatimeve të këtyre doktorëve, persona të ndryshëm që janë subjekte të procedurës penale dërgohen në paraburgim, akuzohen madje edhe dënohen.

I tillë është edhe rasti ndaj Trim Limonit, i cili nga Prokuroria e Gjilanit po akuzohet se e ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor, e ku Prokuroria është bazuar në ‘ekspertizat’ e mjekut Sejdullah Mahmuti.

Ekspertizën në fjalë e ka kundërshtuar mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Elvira Haziri, andaj Gjykata tani është në pritje të një ekspertize tjetër e të cilën e konfirmoj edhe gjykatësi Rilind Sermagjaj.

“Ende nuk e kemi pranuar ekspertizën nga mjekësia ligjore lidhur me natyrën dhe lëndimet e pësuara nga i dëmtuari Ismajl Rrahmani”, tha gjykatësi Sermagjaj.

Kurse në seancë u dëgjua dëshmitari Blero Ajeti, i cili në ditën kur ka ndodhur rasti (sipas Prokurorisë), ka qenë bashkë me të akuzuarin Limoni.

Pasi u propozua një dëshmitarë seanca e sotme u shtye për 30 shtator.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Limoni, fillimisht pas një mosmarrëveshje me Dritro Rrahmanin, me dashje i ka shkaktuar lëndime trupore ati, babait dhe vëllait të tij. Tutje sipas Prokurorisë, i akuzuari pas fjalosjes me të njëjtët, shkon dhe e merr një shufër metalike dhe me të i godet të dëmtuarit Ismail Rrahmani në pjesën e fytyrës të cilit i shkakton lëndime të rënda trupore.

Tutje sipas aktit akuzues i akuzuari Limoni, e godet edhe Rinor Rrahmanin të cilit i shkakton lëndime të lehta trupore, të konstatuara nga ekspertiza mjekoligjore e datës 09.07.2021.

Kujtojmë se më 27.08.2021, kallxo.com kishte publikuar një hulumtim të gjatë lidhur me angazhimin e mjekëve ligjorë nga Prokuroria e Gjilanit edhe pse ata nuk ishin të thirrur të hartojnë ekspertiza të tilla – LINK

 

 

 

Asnjë fjalë nga Prokuroria e Gjilanit për skandalin me “mjeket ligjor”