Ilustrim

Thellohet skandali - Prokuroria e Gjilanit angazhoi si ekspert doktorin e akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor

Prokuroria e Gjilanit ka angazhuar si ekspert mjekoligjor, kirurgun Sejdullah Mahmuti edhe pse i njëjti akuzohet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Mahmuti ka aktakuzë aktive dhe është duke u gjykuar në lidhje më rastin i cili sipas prokurorisë kishte ndodhur në janar të vitit 2015 kur ishte operuar tashmë e ndjera N. D. Aktakuza është ngritur nga Prokuroria e Ferizajt.

Ai për KALLXO.com e ka konfirmuar se është duke u gjykuar për ketë rast, teksa e konsideron vetën të pafajshëm.

“Gjykata e ka fillu gjykimin, janë mbajtë katër seanca, janë duke u majtë, aktakuza nuk është e bazuar, unë jam njeri pa faj, po pse spo e pritni vendimin e gjykatës”, tha Mahmuti.

I pyetur nëse i është kërkuar ndonjë vërtetim që nuk zhvillohet ndonjë procedurë gjyqësore para angazhimit si ekspert, i njëjti tha se një gjë e tillë nuk i është kërkuar.

“Çka ka lidhje hetimet, derisa unë jam i pafajshëm edhe s`ka ndonjë vendim të formës së prerë”, tha tutje Mahmuti.

KALLXO.com gjatë ditës publikoj hulumtimin në lidhje me dyshimet për shkelje të ligjit nga prokuroria e Gjilanit me rastin e angazhimin të eksperteve.

Si rezultat i këtyre angazhimeve një varg lëndësh të gjykuara në Gjilan mund të hedhen poshtë për shkak se prokuroria i ka angazhuar në cilësinë e eksperteve mjekoligjor personat e pa licencuar për mjekësi ligjore.

Hulumtimi ka zbuluar se doktorë kirurg dhe ortoped po angazhohen nga prokuroria e Gjilanit si ekspert mjekoligjor në kundërshtim me ligjin pasi nuk kanë të përfunduar specializimin e mjekësisë ligjore.

Ata pranojnë aktvendime për kryerjen e ekspertizave nga ana e prokuroreve të Gjilanit, marrin qasje në dosjet penale dhe kryejnë ekspertiza mjeko-ligjore edhe pse nuk janë pjesë e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Sipas ligjit për mjekësinë ligjore, ekspertizat mjeko-ligjore mund të jepen vetëm  nga ekspertët mjeko-ligjor të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Neni tre i këtij ligji ka përcaktuar qartë se vetëm ekspertet mjekoligjor të institutit kanë të drejtë që të japin ekspertiza mjekoligjore pas kërkesës së Prokurorisë ose Gjykatës.

“Ekzaminimet mjeko ligjore, si: autopsia mjeko ligjore, ekzaminimi klinik mjeko ligjor, ekzaminimi i mostrave biologjike, si dhe ekzaminimet tjera mjeko ligjore të parapara me ligj kryhen nga ekspertët mjeko ligjor të Institutit”, përcaktohet në ligj.

Ka disa vite që Prokuroria e Gjilanit po angazhon si ekspert mjeko-ligjor doktorët Sejdullah Mahmuti, Islam Rashiti, Musa Jashari dhe Rrahman Hajdari dhe të tjerë.

Secili nga këta doktor angazhohet 2 deri në 10 herë në muaj për dhënien e ekspertizave mjeko-ligjore, ani se specializimin e kanë të kryer për kirurg apo ortoped.

Përmes konstatimeve të këtyre doktorëve, persona të ndryshëm që janë subjekte të procedurës penale dërgohen në paraburgim, akuzohen madje edhe dënohen.

I tillë është rasti i M.D. dhe E. D. të cilët janë dënuar me nga 90 ditë burgim në bazë të ekspertizës mjeko-ligjore të lëshuar nga zyra shërbyese “Heni Medical”.

Sipas drejtorit të Institutit të mjekësisë ligjore, angazhimi i këtyre doktorëve në cilësinë e eksperteve mjeko-ligjor është i pa pranueshëm.

Sipas tij, ekspert mjeko-ligjor është vetëm ai i cili e ka përfunduar specializimin për mjekësinë ligjore.

“Eksperti mjekoligjor është ai i cili ka kryer specializimin nga lemia e Mjekësisë Ligjore, dhe vetëm eksperti mjeko-ligjor është i thirrur për të dhënë mendime mjekoligjore tek rastet e lëndimeve, dhunës fizike, dhunës seksuale etj”, tha Gerxhaliu.

Skema e angazhimit të ekspertëve  

Përmes aktvendimeve për angazhimin e ekspertëve dhe pa ndonjë procedurë të rregulluar, Prokuroria e Gjilanit i cakton doktorët kirurg dhe ortoped për kryerjen e ekspertizave mjeko-ligjore.

KALLXO.com ka siguruar aktvendime të prokurorisë së Gjilanit për caktimin e ekspertëeve mjeko-ligjor në të cilat si ekspert caktohen doktorët të cilët nuk kanë të përfunduar specializimin për mjekësinë ligjore.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe më doktorët të cilët po caktohen si ekspert nga prokuroria e të cilët tregojnë për mënyrën se si vendoset që të njëjtit të japin ekspertizat mjeko-ligjore në bazë të aktvendimeve.

Sipas doktorëve të kontaktuar, këto aktvendime ju dërgohen në ordinancat private apo adresat private të tyre.

“Drejtpërdrejtë prokurori e çon aktvendimin aty ku e ki ordinancën, unë jam ekspert mjekësor, nuk jam mjeko-ligjor, po ka mbete përpara se kur i kanë çu ata licencat i kanë qu si mjekoligjor”, tha doktori Sejdullah Mahmuti.

I pyetur për mënyrën e pagesës pasi përfundimit të ekspertizave, Mahmuti ka deklaruar se të njëjtat ju deponohen nga Prokuroria në llogaritë private të ordincave.

“Paret na lëshohen në llogari të ordinancës”, tha shkurt doktori.

Rrahman Hajdari ortoped, është një tjetër doktor i cili merret qe 10 vite me kryerjen e këtyre ekspertizave mjekësorë. Ai thotë se ka deri në 6 raste në muaj nga prokuroria e Gjilanit.

“Punoj që 10 vite me ekspertiza, i kam 4,5 ose 6 raste në muaj, jam ortoped, nuk jam pjesë e IML-së, por jemi të çertifikum si ekspert pranë gjykatës komunale dhe prokurorisë. Unë jam ekspert klinik e jo mjekoligjor”, deklaroj doktori.

Sikurse Mahmuti dhe Hajdari ekspertiza mjekoligjore ofron edhe kirurgu i ortopedisë, Musa Jashari.

“Unë jam kirurg i ortopedisë, nuk jam i angazhum në institutin e mjekësisë ligjore por prej vitit 2010 jam në listën e eksperteve të gjykatës në Gjilan. Mjekësinë ligjore e kam kry me kohë’, deklaroj doktori.

Edhe Jashari tregon se paratë për dhënien e ekspertizave i transferohen nga prokuroria në kartelën e biznesit, ordinancës private dhe ato shënohen në çdo 3 muaj.

Më i riu në mesin e doktorëve që ofron ekspertiza mjekoligjore është kirurgu Islam Rashiti.

Ai deklaron se i trajton deri në 10 raste në muaj teksa e pranon që është vetëm kirurg.

“Që 2-3 vite merrem me dhënien e këtyre ekspertizave, më vijnë 10 ekspertiza në muj me i dhanë, nganjëherë më shumë, nganjëherë më pak. Unë jam vetëm kirurg, e në gjykatë jam i regjistruar për mjek ligjor. Nuk jam në institutin për mjekësi ligjore”, ka thënë Rashiti.

Pas bisedave me doktorët, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Oden e Mjekëve të Kosovës, për të parë nëse një kirurgu ose ortopedi i lejohet që të jep konstatime mjekoligjor dhe nëse ndonjëri nga mjeket e lartpërmendur e ka licencën e mjekësisë ligjore.

Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekeve të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se ekspertiza mjeko ligjore mund të japin vetëm personat që kanë përfunduar specializimin e mjekësisë ligjore.

“Ekzaminimet mjeko-ligjore apo procedura mjeko-ligjore që konsiston në ekzaminimin e kufomës, personave të gjallë, provave materiale biologjike dhe ekzaminimet tjera mjeko-ligjore, kryhen vetëm nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i themeluar si organ qendror i administratës shtetërore në vërtësi të Ministrit të Drejtësisë “, tha Sejdiu.

Ai shtoj se asnjëri nga doktorët e lartpërmendur nuk e ka licencën e mjekut ligjor.

“Mjeket e apostrofuar nga ana juaj, nuk kane licenca të mjekut ligjor“, tha Sejdiu.

Pra sipas doktorëve të kontaktuar, është në dorën e prokuroreëve të Gjilanit se cilin prej këtyre ekspertëve do ta angazhojnë për përfundimin e ekspertizës mjeko-ligjore dhe  nuk ka ndonjë rregullore për përcaktimin e tyre.

Ndryshe nga kjo praktik e Prokurorisë së Gjilanit, në institutin e Mjekësisë Ligjore ekspertizat i dërgohen ekspertëve mjekoligjor në mënyrë rotative, me qëllim që një ekspert të mos ketë më shumë raste se sa tjetri.

Sipas drejtorit të këtij Instituti, kërkesat e Prokurorisë për ekspertiza mjekoligjore  duhet të dorëzohen vetëm në institut, e më pas në mënyrë rotative të shpërndahen në ekspertet e licencuar si doktor të mjekësisë ligjore.

“Lëndët duhet të vijnë përmes rrugëve zyrtare nëe Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe të njëjtat u shpërndahen në mënyrë rotative 9 ekspertëve mjeko ligjor të punësuar në IML”, tha Gerxhaliu.

KALLXO.com ka kërkuar informacione edhe nga Prokuroria e Gjilanit dhe Këshilli Prokurorial për arsyet e mos angazhimit të eksperteve të mjekësisë ligjore në ekspertiza  dhe arsyet e angazhimit të kirurgëve dhe ortopedëve në rastet penale mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Problemet me ekspertë

Nuk janë të rralla rastet kur në mungesë të ekspertizave apo në mungesë të pranisë së ekspertit për të dëshmuar në gjykatë, raste të ndryshme penale janë shtyrë për kohë të pacaktuar.

Numri i vogël i eksperteve të mjekësisë ligjore e po ashtu edhe të ekspertëve të psikiatrisë dhe eksperteve të tjerë, shpeshherë ka ndikuar edhe me mos përfundimin me kohë të ekspertizës, madje edhe me mungesën e ekspertit në gjykim.

Një gjykim për vrasje në Pejë ka dështuar të mbahet për shkak se instituti i psikiatrisë nuk e kishte dërguar me kohë ekspertizën. Po ashtu një numër i madh i gjykimeve kishte dështuar të mbahen për shkak të mungesës së pranisë së eksperteve për të mbrojtur konstatimet e tyre para gjykate kur janë ftuar.

Shtyrja e këtyre proceseve gjyqësore për shkak të mungesave të eksperteve ka ndikim të madh në zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe si rezultat shpeshherë po shkelet një nga të drejtat elementare të njeriut, e drejta për gjykim në kohë të arsyeshme.