Asnjë fjalë nga Prokuroria e Gjilanit për skandalin me “mjeket ligjor”

Asnjë fjalë nga Prokuroria e Gjilanit për skandalin me “mjeket ligjor”

Janë bërë pesë ditë prej kur KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Prokuroria e Gjilanit për mënyrën e angazhimit të doktorëve kirurg dhe ortoped në cilësinë e eksperteve mjekoligjor mirëpo akoma nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Skandali me angazhimin e “eksperteve mjekoligjor” nga Prokuroria në Gjilan u bë publik të premten në KALLXO.com, dhe që nga ajo ditë nuk pati asnjë reagim nga kjo prokurori.

Kërkesa për qasje në informacione i është dërguar edhe Këshillit Prokurorial të Kosovës më ç’rast është kërkuar qasje edhe në pagesat e kryera për mjeket e angazhuar si ekspert mjekoligjor mirëpo deri me tani nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

KALLXO.com raportoj se një varg lëndësh të gjykuara në Gjilan mund të hedhen poshtë për shkak se prokuroria e Gjilanit i ka angazhuar ekspertët mjekoligjor në kundërshtim me ligjin.

Hulumtimi  ka zbardhur se doktorë, kirurgë dhe ortopedë në Komunën e Gjilanit po angazhohen nga Prokuroria Themelore në Gjilan si ekspert mjekoligjor në kundërshtim me ligjin pasi nuk kanë të përfunduar specializimin e mjekësisë ligjore.

Madje hulumtimi shpalosi edhe se Prokuroria në Gjilan nuk e ka problem që të angazhoj si ekspert doktorë që akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Sipas ligjit për mjekësinë ligjore, ekspertizat mjeko-ligjore mund të jepen vetëm nga ekspertët mjeko-ligjor të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Neni tre i këtij ligji ka përcaktuar qartë se vetëm ekspertët mjekoligjor të institutit kanë të drejtë që të japin ekspertiza mjekoligjore pas kërkesës së Prokurorisë ose Gjykatës.

“Ekzaminimet mjeko ligjore, si: autopsia mjeko ligjore, ekzaminimi klinik mjeko ligjor, ekzaminimi i mostrave biologjike, si dhe ekzaminimet tjera mjeko ligjore të parapara me ligj kryhen nga ekspertët mjeko-ligjor të Institutit”, përcaktohet në ligj.

Se të tjerët nuk mund të japin ekspertiza mjekoligjore përpos eksperteve që kanë përfunduar specializimin e mjekësisë ligjore, e thotë edhe Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekeve të Kosovës.

“Ekzaminimet mjeko-ligjore apo procedura mjeko-ligjore që konsiston në ekzaminimin e kufomës, personave të gjallë, provave materiale biologjike dhe ekzaminimet tjera mjeko-ligjore, kryhen vetëm nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i themeluar si organ qendror i administratës shtetërore në vartësi të ministrit të Drejtësisë”, tha Sejdiu.

KALLXO.com ka zbuluar se ka disa vite që Prokuroria e Gjilanit po angazhon si ekspert mjeko-ligjor doktorët Sejdullah Mahmuti, Islam Rashiti, Musa Jashari dhe Rrahman Hajdari dhe të tjerë.

Secili nga këta doktor angazhohet 2, deri në 10 herë në muaj për dhënien e ekspertizave mjeko-ligjore, anise specializimin e kanë të kryer për kirurg apo ortoped.

Përmes konstatimeve të këtyre doktorëve, persona të ndryshëm që janë subjekte të procedurës penale dërgohen në paraburgim, akuzohen madje edhe dënohen.

I tillë është rasti i M.D. dhe E.D. të cilët janë dënuar me nga 90 ditë burgim në bazë të ekspertizës mjeko-ligjore të lëshuar nga zyra shërbyese “Heni Medical”.

Sipas drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Asim Gërxhaliu, angazhimi i këtyre doktorëve në cilësinë e ekspertëve mjeko-ligjor është i pa pranueshëm.

Sipas tij, ekspert mjeko-ligjor është vetëm ai i cili e ka përfunduar specializimin për mjekësinë ligjore.

“Eksperti mjekoligjor është ai i cili ka kryer specializimin nga lëmia e Mjekësisë Ligjore, dhe vetëm eksperti mjeko-ligjor është i thirrur për të dhënë mendime mjekoligjore tek rastet e lëndimeve, dhunës fizike, dhunës seksuale, etj.”, tha Gërxhaliu.

Skema e angazhimit të ekspertëve  

Përmes aktvendimeve për angazhimin e ekspertëve dhe pa ndonjë procedurë të rregulluar, Prokuroria e Gjilanit i cakton doktorët kirurg dhe ortoped për kryerjen e ekspertizave mjeko-ligjore.

KALLXO.com ka siguruar aktvendime të prokurorisë së Gjilanit për caktimin e ekspertëve mjeko-ligjor në të cilat si ekspert caktohen doktorët të cilët nuk kanë të përfunduar specializimin për mjekësinë ligjore.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe më doktorët të cilët po caktohen si ekspert nga prokuroria e të cilët tregojnë për mënyrën se si vendoset që të njëjtit të japin ekspertizat mjeko-ligjore në bazë të aktvendimeve.

Sipas doktorëve të kontaktuar, këto aktvendime ju dërgohen në ordinancat private apo adresat private të tyre.

“Drejtpërdrejtë prokurori e çon aktvendimin aty ku e ki ordinancën, unë jam ekspert mjekësor, nuk jam mjeko-ligjor, po ka mbetur përpara se kur i kanë çu ata licencat i kanë çu si mjekoligjor”, tha doktori Sejdullah Mahmuti.

I pyetur për mënyrën e pagesës pas përfundimit të ekspertizave, Mahmuti ka deklaruar se të njëjtat ju deponohen nga Prokuroria në llogaritë private të ordinancave.

“Paret na lëshohen në llogari të ordinancës”, tha shkurt doktori.

Rrahman Hajdari ortoped, është një tjetër doktor i cili merret që 10 vite me kryerjen e këtyre ekspertizave mjekësore. Ai thotë se ka deri në 6 raste në muaj nga prokuroria e Gjilanit.

“Punoj që 10 vite me ekspertiza, i kam 4, 5 ose 6 raste në muaj, jam ortoped, nuk jam pjesë e IML-së, por jemi të çertifikum si ekspert pranë gjykatës komunale dhe prokurorisë. Unë jam ekspert klinik e jo mjekoligjor”, deklaroj doktori.

Sikurse Mahmuti dhe Hajdari ekspertiza mjekoligjore ofron edhe kirurgu i ortopedisë, Musa Jashari.

“Unë jam kirurg i ortopedisë, nuk jam i angazhum në Institutin e Mjekësisë Ligjore, por prej vitit 2010 jam në listën e ekspertëve të gjykatës në Gjilan. Mjekësinë ligjore e kam kry me kohë”, deklaroj doktori.

Edhe Jashari tregon se paratë për dhënien e ekspertizave i transferohen nga prokuroria në kartelën e biznesit, ordinancës private dhe ato shënohen në çdo 3 muaj.

Më i riu në mesin e doktorëve që ofron ekspertiza mjekoligjore është kirurgu Islam Rashiti.

Ai deklaron se i trajton deri në 10 raste në muaj teksa e pranon që është vetëm kirurg.

“Që 2-3 vite merrem me dhënien e këtyre ekspertizave, më vijnë 10 ekspertiza në muj me i dhanë, nganjëherë më shumë, nganjëherë më pak. Unë jam vetëm kirurg, e në gjykatë jam i regjistruar për mjek ligjor. Nuk jam në Institutin për Mjekësi Ligjore”, ka thënë Rashiti.

Pas bisedave me doktorët, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Odën e Mjekeve të Kosovës, për të parë nëse ndonjëri nga mjeket e lartpërmendur e ka licencën e mjekësisë ligjore.

Sipas OMK-së, asnjëri nga doktorët e lartcekur nuk e ka licencën për mjekësi ligjore.

“Mjeket e apostrofuar nga ana juaj, nuk kanë licenca të  mjekut ligjor“, tha Sejdiu.

Pra sipas doktorëve të kontaktuar, është në dorën e prokurorëve të Gjilanit se cilin prej këtyre ekspertëve do ta angazhojnë për përfundimin e ekspertizës mjeko-ligjore dhe nuk ka ndonjë rregullore për përcaktimin e tyre.

Ndryshe nga kjo praktikë e Prokurorisë së Gjilanit, në Institutin e Mjekësisë Ligjore ekspertizat i dërgohen ekspertëve mjekoligjor në mënyrë rotative, me qëllim që një ekspert të mos ketë më shumë raste se sa tjetri.

Sipas drejtorit të këtij Instituti, kërkesat e Prokurorisë për ekspertiza mjekoligjore  duhet të dorëzohen vetëm në institut, e më pas në mënyrë rotative të shpërndahen në ekspertët e licencuar si doktor të mjekësisë ligjore.

“Lëndët duhet të vijnë përmes rrugëve zyrtare në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe të njëjtat u shpërndahen në mënyrë rotative 9 ekspertëve mjeko ligjor të punësuar në IML”, tha Gërxhaliu.