Dosja e Prokurorisë: Si kërcënoheshin serbët që ta votonin Listën Serbe më 6 tetor 2019

Të akuzuar për cenim të së drejtës së votimit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, Zharko Dejanoviq dhe Vllasta Bogdanoviq kanë dalur para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë.

Në seancën e sotme u dëgjua dëshmitari Sllobodan Jovanoviq, i cili tha se ka dhënë deklaratë në polici dhe se mbetet pranë saj.

“Zharko Dejanoviq ka qenë anëtar i Listës Serbe, kurse unë anëtar i SLS-së, dhe kur ka filluar fushata zgjedhore, secili nga ne e kemi pasur shtabin. Ne jemi njohur sipas kësaj, mirëpo kur ka filluar “loja e ndyrë”, unë jam tërhequr nga të gjitha aktivitetet politike. Nëna e të dëmtuarit Ognjen Krçmareviq ka punuar në shtëpin e shëndetit në Verbovc si mjeke dhe asaj ja kanë ndërprerë marrëdhënjen e punës dhe ne si SLS, kemi bërë grevë lidhur me këtë”, tha deshmitari Jovanoviq.

Gjithashtu dëshmitari tha se Zharko Dejanoviq, nuk ka bërë asnjë kërcnim ndaj Ognjenit dhe askujt tjetër.

Dëshmitari tjetër, Aca Vllajkoviq, tha se nuk ka dhënë deklaratë as në Polici dhe as në Prokurori. Tha se nëna e të dëmtuarit Ognjen Krqmareviq, ka punuar mjeke kurse nuk e din se asaj i është ndërprerë marrëdhënja e punës.

Tutje dëshmitari Vllajkoviq tha se sa ka parë dhe sa ka dëgjuar nuk ka pasur asnjë kanosje dhe asnjë sulm fizik nga Zharko Dejanoviq, ndaj Ognjen Krqmareviq.

Tutje, seanca u ndërpre dhe e njëjta u shtye për kohë të pa caktuar, pasi trupi Gjykues i drejtuar nga Gjykatësi Sabedin Mushica, e refuzoi propozimin e prokurorit që si provë të administrohet vendimi i lëshuar nga Strukturat Paralele të Serbis më të cilin nënës së të dëmtuarit Ognjen Krqmareviq, i ishte ndërprerë marrëdhënja e punës.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Zharko Dejanoviq dhe Vllasta Bogdanoviq nga data 26 shtator deri më 2 tetor, në fshatin Vërbovc dhe Gërnqar të Komunes së Kllokotit, në vazhdimësi kanë kanosur të dëmtuarit Ognjen Krqmareviq, Sreçko Kojiq dhe Jelica Krqmareviq.

Ata akuzohen se përderisa ishin në veturë zyrtare të komunës, e kishin ftuar të dëmtuarin Sreçko Kojiq, duke i kërkuar të hyjë në veturë pa dëshirën e tij dhe kishin filluar të bisedojnë për zgjedhjet, duke i kërkuar që të kthehet në krahun e Listës Serbe dhe të heqë dorë nga Partia e Pavarur Liberale (SLS).

Aktakuza thotë se kur janë afruar tek udhëkryqi afër fshatit Gjylekarë pasi të akuzuarit e kishin ngadalësuar veturën për shkak të disa pengesave në rrugë, i dëmtuari kishte arritur të dalë nga vetura.

Aktakuza gjithashtu thotë se dy të akuzuarit ia kishin kontrolluar veturën të dëmtuarit Ognjen Krqmareviq duke u interesuar nëse brenda saj kishte material zgjedhor kundër Listës Serbe.

Prokuroria thotë se Dejanoviq dhe Bogdanoviq e kishin kërcënuar Krqmareviqin duke i thënë se nëse nuk voton për Listën Serbe “do të ndodh pastrim”.

Aktakzua gjithashtu thotë se më 30 shtator, të dëmtuares Dr. Jelica Krqmaroviq, nëna e të dëmtuarit Ognjen Krqmareviq, pas 36 viteve përvojë pune, i është ndërprerë kontrata e punës nga Drejtoria për Shëndetësi në Pasjak vetëm pse ka qenë përkrahëse e partisë SLS nën udhëzimet e të akuzuarit Zharko Dejanoviq i cili është edhe vëllai i kryetarit të Komunës së Kllokotit.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Dosja e Prokurorisë: Si kërcënoheshin serbët që ta votonin Listën Serbe më 6 tetor