Rinor Hykolli. Foto: Instagram

Menaxheri i Tanyas, Rinor Hykolli dënohet me burgim efektiv

Menaxheri i këngëtares Tayna, Rinor Hykolli, është dënuar sot nga Gjykata e Gjilanit me 1 vit burgim efektiv.

Ai akuzohet nga prokuroria se për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit Liridon Bajrami.

Gjykatësi i rastit Behar Ymeri, pasi e ka shpallur vendimin dënues, ka njoftuar se dënimi ndaj tij do të ekzekutohet pasi që aktgjykimi do të marrë formën e prerë.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, i akuzuari Rinor Hykolli, më 22 korrik 2021, rreth orës 00:40 minuta, në diskotekën ‘Stop’, në Gjilan, me dhunë, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit Labinot Bajrami, duke e goditur me dorezë të revoles në pjesën e pasme të kokës, e më pas e ka goditur me grushte në kokë e pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat i njëjti ka kërkuar tretman mjekësor.

I akuzuari Hykolli, sipas kërkesës së prokurorisë gjendet nën masën e paraburgimit që nga data 3 tetor 2021, dhe me rastin e ngritjes së aktakuzës është propozuar që të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit.

Ndërsa, sipas prokurorisë i pandehuri Sh. Xh., me dashje ka ndihmuar në kryerjen e kësaj vepre penale, dhe në marrëveshje paraprake me të pandehurin Rinor Hykolli, e thërret të dëmtuarin Labinot Bajrami, duke e dërguar në vendin ku është kryer vepra penale.

KALLXO.com pati raportuar në lidhje me njoftimin e Policisë së Kosovës, në atë kohë Hykolli kërkohej për të njëjtin rast. Gjithashtu Kallxo.com ka raportuar edhe kur të akuzuarit i është ngritur aktakuza.

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj menaxherit të Taynas dhe një personi tjetër