Foto: KALLXO.com

Skandali i Armëve të Policisë ri aktualizohet pas 9 vjetësh

Njëra nga aferat e mëdha të korrupsionit në Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Brendshme është rikthyer edhe një herë në sallat e gjykatave.

 Nëntë vite më parë prokuroria e EULEX-it kishte nisur bastisjet në objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme ndërsa dyshimet ishin se tenderi për ta furnizuar me armë e pajisje Policinë e Kosovës ishte keqpërdoru.

Tre zyrtarë dy nga ta nga Policia e Kosovës dhe një nga MPB dhe pronarët e kompanisë që kryente furnizimin ishin cak i këtij hetimi.

Në fillim të vitit 2015 prokuroria speciale ka akuzuar  biznesmenët Armend Selimi e Astrit Pira nga kompania “Friends” si dhe Xhevahire Vatovci, Kadrush Koliqi e Ragip Bunjaku të Ministrisë së Punëve të Brendshme për veprimet në këtë tender.

Prokuroria i akuzon ata edhe se nga fillimi i vitit 2009 deri më 2011 pa autorizim nga autoritetet kosovare apo gjermane kanë furnizuar, transportuar këmbyer ose i kanë shitur Shërbimit Policor të Kosovës armë dhe municion të siguruar nëpërmjet tenderëve të Policisë së Kosovës.

Më tej prokuroria i vë në barrë të akuzuarve edhe veprën penale të mashtrimit ashtu që i kanë mashtruar autoritetet kosovare dhe i kanë mbajtur nën mashtrim duke iu prezantuar pasqyrime të rrejshme dhe i kanë fshehur faktet në lidhje me kompetencën dhe autorizimin ligjor dhe kontraktues të NTP Friends për të përmbyllur marrëveshjen në Kosovë për blerjen e armëve dhe municionit dhe me këtë i kanë nxitur autoritetet kosovare që të përmbyllin marrëveshjet e tilla në dëm të pronës publike dhe financave që tejkalojnë shumën prej 15.000 euro në dëme.

Ata gjithashtu i kanë lëshuar Policisë së Kosovës fatura për pajisjet e përmendura në tender me çmime shume më të larta se çmimi real, kanë importuar armët pa asnjë leje të lëshuar për import dhe shumë veprime tjera të paligjshme.

Xhevahire Vatovci Kadrush Koliqi dhe Ragip Bunjaku akuzohen se u kanë  paguar faturat e lëshuara Policisë së Kosovës për artikujt e përmendur në tenderë për shuma më të larta se çmimi real, duke mos zgjedhur kompaninë e cila kishte dorëzuar ofertën me çmimin me të ultë dhe shume veprime tjera.

Në tetor të vitit 2011 Policia e EULEX-it me autorizimin e ish-kryeprokurores Izabela Marnak kishte kryer bastisje në lokalet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës me pretendimet se gjatë tenderit për importin e armëve dhe municioneve për Policinë e Kosovës kishte pasur keqpërdorime.

Rasti atëherë kishte bërë bujë të madhe dhe ishte emëruar si skandali i armëve të Policisë së Kosovës.

Në dhjetor të vitit 2011 kallxo.com kishte raportuar se biznismenër Armend Selimi e Astrit Pira me tri nga kompanitë e tyre, Jolix, Friends dhe një firmë tjetër, Amici, që nga 2007’ta kishin fituar kontrata me vlerë prej së paku 6,2 milionë euro nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare. 

Katër vjet pas bastisjeve, në janar të 2015-ës, EULEX-i nëpërmjet një komunikate njoftoi se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave duke përfshirë këtu edhe zyrtarët e lartë të policisë dhe MPB-së.

Aktakuza në fjalë ishte dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe e njëjta ishte marrë në shqyrtim nga një trup gjykues i drejtuar nga gjykatësja Mariola Pasnik.

Me 28 maj të vitit 2015 Gjykata e Prishtinës hedh posht aktakuzën me arsyetimin se prokuroria nuk u është përmbajtur afateve ligjore të hetimit.

Prokurorja e rastit Izabela Marnak e pakënaqur me këtë vendim në afatin ligjor kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, të cilën Apeli e refuzoi.

Ankesë ishte bërë edhe ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit dhe Gjykata Supreme me aktvendim ka rekomanduar që kjo çështje të procedohet tutje duke e kthyer rastin përsëri në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Shënim: Aktakuza për këtë rast është hedhur me vendim të formës së prerë, dhe procedura ka pushuar për të gjithë të akuzuarit – Koha e editimit: 05.04.2024