Dilerët e “Korruptuar” të Armëve me Rrjet të Kompanive

Me 5 tetor, policia e EULEX’it arrestoi gjashtë persona të dyshuar për korrupsion në lidhje me furnizimin e armëve për policinë e Kosovës. 

Gjatë kohës së bastisjeve nga ana e EULEX’it nëpër biznese dhe shtëpi në Prishtinë dhe Gjermani, ata arrestuan zyrtarë të lartë të policisë së Kosovës dhe dy biznesmenë, Astrit Pira dhe Armend Selimi.

Këta të fundit janë pronarë të Jolix dhe Friends, firmat që kishin siguruar një marrëveshje që sugjerohet të jetë e korruptuar me një tender në tetor 2008.

Një hulumtim i bërë nga Gazeta JnK ka zbuluar se interesat biznesore të Pira’s dhe Selimit janë më të mëdha dhe shkojnë shumë më tutje se sa kjo marrëveshje. 

Tri nga kompanitë e tyre, Jolix, Friends dhe një firmë tjetër, Amici, që nga 2007’ta kishin fituar kontrata me vlerë prej së paku 6,2 milionë euro nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare. 

Firmat kishin siguruar kontrata të shumta me policinë e Kosovës, komunën e Prishtinës, Forcën e Sigurisë të Kosovës, Komisionin Europian në Kosovë dhe me EULEX’in, kjo e fundit tani po i heton këta dy burra. 

Kontratat përfshinin furnizimin me armë, municion, kuzhina, biçikleta, uniforma për policë dhe zjarrfikës dhe pajisje monitoruese transmetuese.

Këta dy biznesmenë kanë në pronësi po ashtu edhe firmën e katërt, biznes ndërtimi 3AT, e cila ka lidhje të afërta me një kompani tjetër, Toning, e cila po ashtu kishte fituar një numër të kontratave të majme nga autoritetet. Në ndërkohë, biznesmeni i tretë i arrestuar gjatë bastisjeve, Ylber Salihu, ka në pronësi biznesin medicinal, Triomed, që ka siguruar një numër të tenderëve nga ministria e shëndetësisë. 

EULEX i ka thënë Gazetës JnK se është duke e fokusuar hetimin e vet në tenderin e municionit dhe armëve e kryer në vitin 2008, edhe pse misioni për sundimin e ligjit ka konfirmuar se të gjitha tenderët janë duke u kontrolluar.

Firma Friends në Prishtinë, zyrtarisht me pronar Armend Selimin dhe një grua e regjistruar si Zaide Osmani, kanë siguruar 1,4 milion euro nga institucionet e shtetit. 

Por gazeta JnK ka zbuluar se gruaja në fakt është e regjistruar në listën e zgjedhjeve si Zaide Pira dhe është bashkëshortja e Astritit, i cili është në paraburgim dhe pret gjykimin. 

Në korrik 2011, firma kishte fituar një tender me vlerë prej 500,000 euro për të furnizuar policinë e Kosovës me “automjete speciale”. Më herët kishte furnizuar policinë me armatim dhe uniforma në tenderë të ndryshëm.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Jolix, po ashtu me zyre në Prishtinë, ka fituar 3.2 milionë euro nga kontratat me institucione të ndryshme, duke përfshirë EULEX’in dhe Komisionin Europian. Pronari i firmës është i regjistruar si Astrit Pira.

Më 23 shtator, vetëm dy javë para se të arrestoheshin bizensmenët, Pira kishte fituar një tender tjetër nga policia e Kosovës për “pajisje speciale” me vlerë prej 500,000 euro.

Jolix po ashtu ka bërë biznes me insitucionet ndërkombëtare në Kosovë. Kishte fituar dy tenderë nga EULEX’i në vitin 2009 për t’a furnizuar me armatim dhe pajisje tjera, të gjitha në vlerë prej 900,000 euro. 

Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Europian në Kosovë po ashtu i kishte dhënë kontratë Pirës për të bërë një “sistem monitorues të transmetimit” për 800,000 euro në vitin 2010. 

Kompania e përbashkët, “Jolix dhe Friends” është regjistruar në Tiranë me Astrit Pira dhe Armend Selimi si pronarë. Të dy po ashtu kanë në pronësi firmën tjetër të regjistruar në Shqipëri, Germax, që është e specializuar me armë.

Fotot në Facebook të vendosura nga Pira tregojnë pjesëmarrjen e këtyre dy burrave në shumë panaire të armëve në shtete të ndryshme. 

Përkundër bashkëpunimit të tyre të ngushtë, në dy tenderë me policinë e Kosovës, bashkë Jolix dhe Friends kishin fituar pjesë të ndryshme të tenderëve, duke sugjeruar se ata ose ishin konkurrentë ose bashkëpunonin në oferta. Selimi është po ashtu pronar i firmës Amici, e cila kishte fituar kontratë vetëm më pak se 100.000 euro nga policia e Kosovës dhe brigada e zjarrfiksave të Prishtinës, tender i komunës së Prishtinës.

Të dy burrat kanë në pronësi firmën 3AT, e cila është e specializuar në ndërtime, sipas të dhënave zyrtare në regjistrin e bizneseve. Firma me adresë Eduard Lir, 50 në Prishtinë, ka bashkëpronar Faton Hoxhën, i cili ka dy kompani tjera të ndërtimit, NPN Toning dhe Toning SHPK, që kanë adresë të ngjajshme.

Astrit Pira dhe aktori i njohur, Steven Seagel në një panair armësh

Kompanitë Toning kanë fituar po ashtu një numër të kontratave për ndërtim nga autoritetet, duke përfshirë një për ndërtimin e një shkolle fillore në Skenderaj për 1,5 milionë euro në vitin 2008, tender nga ministria e arsimit. 

Integral, një firm tjetër me pronar Armend Selimi, ka pronar tjetër edhe Franz Leopold Krieger, i cili ka në pronësi firmën Blue Force Defence Trading që shet mallra ushtarake nga selia e saj në Austri. 

Gazeta Jeta në Kosovë nuk ka gjetur ndonjë dëshmi që tregon se Integral ka fituar kontrata nga institucionet shtetërore. 

Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX’it, i tha Gazetës JnK se Pira dhe Selimi vazhdojnë të jenë në paraburgim.

“Sa i takon hetimit aktual, dy menaxherët e kompanive private janë në paraburgim,” tha ai. “Të dyshuarit tjerë janë zyrtarë të policisë së Kosovës dhe minsitrisë së punëvë te brendshme.”

Në operacionin e EULEX’it ishin arrestuar Ragip Bonjaku, shef i administratës së policisë, Xhevahire Vatovci, shefe e prokurimit në policinë e Kosovës, Kadrush Koliqi, zyrtar i drejtoratit për siguri publike në MPB dhe tre biznesmenët Ylber Saliu, Armend Selimi dhe Astrit Pira.

Si pjesë e hetimit, policia gjermane kishte kontrolluar hapësirat e një biznesi në Gjermani, shteti prej nga vinte municioni në lidhje me tenderin e vitit 2008.

Ylber Saliu, sipas agjencionit për regjistrimin e bizneseve të Kosovës, është pronar i firmës medicinale Triomed, e cila kishte fituar një varg kontratsh nga ministria e shëndetësisë.

Astrit Pira dhe Armend Selimi ndajnë biçikletën gjatë një udhëtimi në Kinë

Xhevahire Vatovci, drejtoreshë e prokurimit në policinë e Kosovës, ishte suspenduar në maj të këtij viti për dyshimet e abuzimit të pozitës zyrtare dhe të autoritetit. Ajo dyshohet për favorizim të një kompanie në tenderin për furnizim me naftë për policinë.

“Është e njohur për prokurorinë se kompania e përmendur kishte fituar tenderë me institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare,” shtoi zëdhënësi i EULEX’it. 

“E panevojshme për të thënë por të gjitha tenderët janë kontrolluar. Sidoqoftë, hetimi fokusohet në krimet e dyshuara të kryera nga individët dhe vetëm personat fizikë janë duke u hetuar.”