Foto: Ilustrim

Pejë në kohën e COVID 19, dyfishohen rastet e dhunës në familje

 

Situata e krijuar me COVID-19 ka ndikuar në përgjithësi në uljen e kriminalitetit në Komunën e Pejës, por në anën tjetër janë dyfishuar rastet e dhunës në familje.

Kjo është bërë e ditur nga Policia e Pejës në takimin Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

“Edhe në Komunën e Pejës ka ngritje të rasteve të dhunës në familje në periudhën mars-prill, po flas për periudhën e pandemisë në vitin e kaluar i kemi pas 14 raste të dhunës të raportuara , ndërsa për këta dy muaj deri më sot, që po raportoj i kemi 27 raste” ka deklaruar komandanti i Stacionit Policor në Pejë, majori Ndue Nikolla.

Sipas llogaritjeve i bie që gjatë kohës së pandemisë është dyfishuar numri i rasteve të dhunës në familje për regjionin e Pejës.

Komandanti Ndue Nikolla, bëri të ditur se në kohen e pandemisë në Pejë nuk ka pasur raste të rënda duke shtuar se ka pas rënie të dukshme të rasteve të veprave penale me përjashtim të vepra të dhunës në familje.

“Nuk ka raste të rënda edhe ka rënie të dukshme të rasteve të veprave penale dhe veprave të tjera penale vetëm si statistikë, po ju jap për 4 muaj të vitit 2020 kemi 140 raste më pak” thai ai.

Se është rritur numri i rasteve të dhunës në familje e konfirmoi edhe drejtoresha e Qendrës për Mirëqenien e Gruas, Ardita Bala.

Ajo tha se gjatë kohës së pandemisë është arritur të strehohen 4 gra, por që kërkesat kanë qenë shumë me të mëdha.

“Nga janari e deri më sot kemi strehuar 19 gra dhe fëmijë të regjionit të Pejës, ndërsa me 1 shkurt e kemi nënshkruar zyrtarisht edhe kontratën me Ministrinë e Mirëqenies Sociale. Gjatë kohës së pandemisë 4 gra i kemi strehuar, ndërsa kërkesa ka qenë edhe më e madhe, por shumica kanë qenë raste, që kanë kërkuar ndihma në ushqim, këshillim, ndihmë juridike etj” tha ajo.

Vetëm sot në Gjykatën e Pejës sot janë mbajtur katër seanca për raste të dhunës në familje.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Tringa Zhuti.

Zhuti tha se nga gjykata janë lëshuar dy urdhër mbrojtës për dhunë në familje dhe është bërë një tërheqje.

“Edhe një seancë kësaj natyre është mbajtur por vendimi pritet të lëshohet të hënën” tha ajo.

Sipas të dhënave të Prokurorisë së Pejës,  vetëm në muajin mars janë paraqitur 13 raste të dhunës në familje në regjion e Pejës.

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së,  K2.0, CEL apo QKSGJ.