Gjykata refuzon kërkesën e Njazi Thaçit për anulimin e konkursit për kryeshef ekzekutiv të KEK-ut

 

Është refuzuar si i pabazuar propozimi i Njazi Thaçit për vendosjen e masën për anulimin e konkursit publik për kryeshef ekzekutiv të KEK-ut tw shpallur më 12 maj 2020.

Refuzimi ka ardhur pasi është mbajtur seanca dëgjimore më 9 korrik 2020.

Gjykata e Prishtinës, ka vendosur që kjo çështje do të rregullohet sipas rregullave të procedurës kontestimore.

Njazi Thaçi më 20 maj 2020, përmes avokatit të tij Besnik Berisha, ka paditur KEK-un për ndërprerjen e marrëdhënies së punës më 24 prill 2020.

Thaçi, në padinë e 20 majit vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës e ka konsideruar kundërligjore andaj edhe ka kërkuar që vendimi i tillë të anulohet.

Po ashtu Thaçi, ka kërkuar që i njëjti të kthehet në vendin e punës që ka qenë si dhe t’i kompensohet paga dhe benefitet e tjera të punës.

I autorizuari i KEK Sh. A., në seancën dëgjimore kishte deklaruar se nuk ekziston asnjë bazë ligjore për caktimin e kësaj mase as në ligje e as në praktikën gjyqësore nuk ekziston asnjë masë për pezullimin e vendimet për përzgjedhjen e kandidatëve që rregullohet me ligje të veçanta.

I autorizuari i KEK-Sh. A., kishte deklaruar se KEK-u nuk ka marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës por bordi i drejtorëve të Qeverisë ka vepruar në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike për shkarkimin e Thaçit nga pozita e kryeshefit.

Andaj në këtë rast nuk kemi të bëjmë me Ligjin e Punës, por me një ligj specifik-Ligjin për rregullimin e Ndërmarrjeve Publike.

Gjykata pas analizimit të shkresave të lëndës, ka ardhur në përfundim se propozimi duhet të refuzohet si i pabazuar për shkak se nuk janë përmbushur kushtet nga neni 297 i Ligjit për Procedurën Kontestimore.

Gjykata ka vlerësuar se paditësi Njazi Thaçi nuk ka arritur të dëshmojë mjaftueshëm se pa caktimin e masës për anulimin e konkursit KEK-u do të pamundësonte realizimin e kërkesës.

Andaj gjykata ka vlerësuar se anulimi i konkursit jo vetëm që mund të konsiderohet ndërhyrje në menaxhimin e ndërmarrjes por mund të shpie në implikime përtej këtij kontesti ndërmjet palëve.

Tutje gjykata ka gjetur se masa e tillë mund t’i shkaktojë më shumë dëm punëdhënësit sesa interesit juridik të punëtorit duke i vënë kështu në një pozitë të pabarabartë.

Gjykata ka njoftuar palët se ndaj këtij vendimi kanë të drejtë ankese prej 7 ditësh në Gjykatën e Apelit.