Dyshimet për parregullsi, KEK-u kthen në rivlerësim konkursin për pranimin e mbi 100 punëtorëve të rinj 

Korporata Energjetike e Kosovës ka anuluar procesin e vlerësimit dhe përzgjedhjen e kandidatëve të konkursit për plotësimin e 127 pozitave të lira.  

Përmes një njoftimi për media, KEK ka thënë të ditur se i gjithë procesi për rekrutimin e pozitave të lira do të kthehet nga fillimi.   

Këtë vendim KEK e mori pas rekomandimeve të dhëna nga komisioni i pavarur për vlerësimin e procesit të rekrutimit i përberë nga eksperti i pavarur ligjor i angazhuar në projektin e BE-së për reforma në administratën publike, eksperti i pavarur i proceseve të rekrutimit dhe zyrtari ligjor i KEK-ut.   

“Duke u bazuar në rekomandimet e komisionit të pavarur, Nagip Krasniqi, kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut ka marrë vendim për anulimin procesit duke filluar nga selektimi, rezultatet e testit me shkrim dhe intervistat me gojë për të gjitha pozitat e shpallura sipas konkursit për plotësimin e 127 pozitave të lira, si dhe përsëritjen e këtyre fazave për të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs”, thuhet në njoftim.   

Muajin që shkoi KEK pranoi 127 punëtorë të rinj në bazë të konkursit të shpallur vitin e kaluar për plotësimin e vendeve të lira.  

Menjëherë pas bërjes publike të rezultateve KEK u akuzua për parregullsi dhe përzgjedhje politike e familjare të kandidatëve.   

Ndërsa, KEK kishte pranuar rreth 230 ankesa për këtë konkurs.  

Sipas njoftimit të KEK-ut, komisioni i pavarur ka shqyrtuar ankesat dhe në bazë të të gjetjeve ka dhënë rekomandim për anulimin përzgjedhjes, rezultateve të testit me shkrim dhe intervistave me gojë për të gjitha 127 pozitat e shpallura me konkurs.  

KEK bën të ditur se të gjithë kandidatet e selektuar në fazën e parë do të njoftohen individualisht dhe të njëjtit nuk do të kenë nevojë për riaplikim në konkurs.    

Lidhur me dyshimet për parregullsi në këtë konkurs kishte folur edhe kreyshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi.  

“Nëse vijmë në përfundim se procesi i intervistimit ka pasur defekte madhore dhe komplet rezultati është i paqëndrueshëm, atëherë ne do të shkojmë në anulimin komplet dhe ripërsëritjen e konkursit”, pat deklaruar Krasniqi, gjatë një interviste në Radiotelevizionin e Kosovës. 

Kurse, Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion nisi hetimet pas pretendimeve se konkursi i KEK-ut është përcjellë me shkelje të rënda ligjore. 

“Prokuroria më 04.04.2022, ka iniciuar hetime, ashtu që do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, komfor dispozitave ligjore në fuqi”, pat deklaruar thënë prokuroria përmes një njoftimi. 

Reagime lidhur me dyshimet për parregullsi gjatë procesit të rekrutimit në KEK pat edhe nga partitë politike kryesore në vend.  

Në nëntor të vitit 2021, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kishte shpallur konkurs për 150 pozita; 45 teknikë të makinerisë, 9 teknikë të elektroteknikës, 4 teknikë të elektroteknikës, 2 zjarrfikës, 9 teknikë të kimisë, 50 manipulues të shiritave transportues, 11 inxhinierë të makinerisë, 2 inxhinierë të makinerisë, 1 inxhinier të elektroenergjietikës, 3 inxhinierë të elektroteknikës, 6 inxhinierë të elektroteknikës, 5 inxhinierë të elektroteknikës, 2 teknologë përgjegjës për përgatitjen kimike të ujit , 1 inxhinier gjeodezisë.  

Në këtë konkurs kishin konkurruar mbi 5 mijë persona.