Festivali 'Gjilan Deep & Tech House Festival' anulohet disa ora para fillimit, nuk dihen arsyet

Për sot ishte paralajmëruar mbajtja e festivalit “Gjilan Deep & Tech House Festival” në Pogragjë të Gjilanit.

Por, disa ora para fillimit, organizatorët kanë njoftuar për anulimin e këtij festivali, përmes rrjeteve sociale.

Organizatorët nuk kanë dhënë arsyet e anulimit të festivalit.

Festivali  “Gjilan Deep & Tech House Festival”, që do të duhet të mbahej sot, kishe marrë mbështetje edhe nga Komuna e Gjilanit dhe fashati Pogragjë.

 KALLXO.com ka kontaktuar organizatorët e “Deep & tech house festival”, por nuk kanë pranuar të japin arsyet për anulimin e të këtij festivalit.

Një ditë më parë në rrjetet sociale organizatorët kanë njoftuar për anulimin e festivalit.

“Me keqardhje ju njoftojmë se festivali ‘Gjilan Deep and tech house’ është anuluar. Ne e kuptojmë se ky ndryshim mund të shkaktojë problem andaj ju kërkojmë falje”, kanë njoftuar organizatorët në Facebook-un e festivalit.

Arsyet për anulimin e festivalit nuk i dinë as në Komunën e Gjilanit

Kushtrim Zeqiri, drejtor për Kulturë në Komunë e Gjilanit ka thënë për KALLXO.com se komuna e ka mbështetur mbajtjen e festivalit, duke ia ofruar infrastrukturën e nevojshme.

“Organizatorët për çështje të tyre të panjohura e kanë anuluar festivalin, nuk janë lajmëruar më, përveç atij njoftimit që e kanë publikuar”, ka thënë Zeqiri.

Ndërkaq, Arton Fetahu, kryetar i Këshillit të Fshatit Pogragjë, ka thënë se festivalit i është ofruan gjithë ndihmën e nevojshme.

“Ndihmën maksimale e ka dhënë fshati për organizimin e këtij festivalit, po besoj që festivalit i ka munguar organizimi i mirëfilltë”, ka thënë Fetahu, për KALLXO.com.

Përmes llogarisë në Facebook, organizatori  i “Gjilan Deep and tech house festival”, kompania X-PEC,  kishte paralajmëruar performanca të shumta nga artistë vendas dhe të huaj gjatë festivalit.