Gjakovë, lirohet nga akuza i dyshuari se vodhi aparate për fotografi

Elvis Drmaku, shtetas serb me banim të përkohëshëm në Gjakovë, i cili ishte akuzuar për vjedhje të disa sendeve në garazhën e shtëpisë së Shkëlzen Hoxhës, është liruar nga akuza e Prokurorisë.

Elvis Drmaku ishte deklaruar i pafajshëm dhe në fund të muajit korrik, Gjykata e kishte shpalluar të pafajshëm.

I njëjti gjendet në burg, në vuajtje të dënimit për disa vepra të tjera penale.

Prokuroria pretendon se në muajin shkurt të vitit 2019, Elvis Drmaku ka hyrë në garazhën e shtëpisë së të dëmtuarit Shkëlzen Hoxha dhe prej aty ka marrë tre aparata digjital për fotografim, një telefon fiks dhe gjësende tjera.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa disa nga sendet janë gjetur nga Policia dhe i janë kthyer të dëmtuarit.

Mirëpo, për këtë akuzë Gjykata e Gjakovës të njëjtin e ka liruar, me arsyetimin se akuza ka mbetur në nivelin e dyshimit të arsyeshëm dhe jo të bazuar mirë në prova të artikulueshme dhe të besueshme se i akuzuari kishte kryer veprën penale për të cilën ngarkohej dhe se gjykata nuk e merr për bazë një akuzë të mbështetur në një deklaratë të një dëshmitari, i cili dëshmitar në deklarimet e tija kishte qenë kundërthënës me vetveten.

Pra, Gjykata e Gjakovës ka vlerësuar se nuk është vërtetuar mënyra, koha dhe vendi i kryerjes së veprës penale të vjedhjes.

Sipas aktgjykimit të gjykatës, deklarata e të dëmtuarit Shkelzen Hoxha është vlerësuar duke i’a falur besimin e plotë nga ana e gjykatës.

“Unë nuk e kam ditur se kanë humbur gjësendet e cekura, e të cilat kanë qenë në një depo me gjësendet e vjetra, derisa më kanë lajmëruar policia dhe në bazë të fotove që kanë qenë në aparat ata kanë bërë identifikimin tim dhe të familjarëve, e pastaj më kanë ftuar në stacionin policor”- kishte thënë i dëmtuari Shkelzen Hoxha.