Gjakovë - I akuzuari ‘Që 10 vite jam konsumues i drogës’

 

Ernest Cena, i akuzuar për blerje dhe shitje të drogës, sot në Gjykatën e Gjakovës dha mbrojtjen e tij.

Ai tregoi se që 10 vite është konsumues i narkotikut.

“Me narkotik furnizohem nga persona të panjohur në qytete të ndryshme, në Prishtinë, në Prizren, etj., nuk e mbaj mend”, deklaroi i akuzuari Ernest Cena.

Ernest Cena tha se drogën që e konsumon e dallon përmes erës së saj.

“Unë e pështjelli dhe e di në bazë të erës. Ajo drogë që ma kanë gjetur mua ka kushtuar 250 euro dhe të hollat mi ka dhënë ‘femra’ nga Gjermania, nuk e kam pasur për shitje por për vete”, tha ai.

“Kur kam qenë njëherë në burg për drogë më kanë dhënë qetësues sepse kam qenë i varur nga droga, më kapte stresi”, deklaroi Ernest Cena.

Gjykatësi i rastit Nikollë Komani, pyet të akuzuarin Ernest Cena, se “A keni qenë ndonjëherë i dënuar dhe për çka?”.

“Vetëm 300 euro me gjobë për posedim të drogës”, u përgjigj i akuzuari.

Ndërsa nga data baza e gjykatës për të kaluarën kriminale të Ernest Cenës, rezultoi se i njëjti ishte dënuar për blerje e shitje të narkotikut, me dy vite burgim me kusht dhe me gjobë prej 300 euro.

Në anën tjetër i akuzuari Ernest Cena, tha se kishte probleme me kujtesën.

Për këtë rast të blerjes e shitjes së narkotikut, seanca e radhës u caktua për ditën e nesërme, për dhënien e fjalës përfundimtare.

Prokuroria po akuzon Cenën për 546.44 gram marihuanë.

Sipas aktakuzës, Ernest Cenës gjatë kontrollit në jaknen e tij i janë gjetur katër paketime të mbushura me bari dhe një cigare ‘joint’.

Aktakuza shpjegon se në shtëpinë e tij i janë konfiskuar edhe 15 paketime të mbështjella me folje alumini, dy qese najloni të mbushura me marihuanë një folje alumini dhe një peshore digjitale.

Në seancën e kaluar, Ernest Cena ishte deklaruar i pafajshëm.

Gjakovari pretendon se kishte gjysmë kilogrami drogë për konsum

I njëjti ka qenë në paraburgim nga 14 mars deri në 7 qershor, e më pas nën masën e arrestit shtëpiak.