Gjakovë - I akuzuari e pranon fajin për kanosjen e policit

Mirsad Rexhaj i akuzuar për sulm ndaj personit zyrtar, pranon fajësinë në gjykatë Gjakovës. Pas leximit të aktakuzës, nga prokurori Anton Hasanaj, i akuzuari Mirsad Rexhaj e ka pranuar akuzën që i vihej në barrë.

“E pranoj fajësinë, sepse jemi të këtij shteti dhe unë nuk jam kundër asnjë polici e as shtetit, jam penduar dhe i kërkoj falje zyrtarit policor për rastin e ndodhur”, deklaroi i akuzuari Mirsad Rexhaj.

Këtë pranim të fajësisë nuk e kundërshtoi askush nga palët.

Gjykatësi Mentor Bajraktari, tha se i njëjti është arrestuar në Aeroportin e Prishtinës dhe është sjellë sot në Gjakovë.

Sipas aktakuzës, në gusht të vitit 2016, i akuzuari Mirsad Rexhaj e kanos seriozisht se do ta sulmoj këtu të dëmtuarin Anton Shkoza, zyrtar policor në Gjakovë.

Aktakuza thotë se derisa i dëmtuari Anton Shkoza, ishte në një pikë kontrolli me katër kolegë të tij, Ismet Selmanaj, Dardan Gashi, Nikollë Nuhi dhe Ilmi Agaj, i akuzuari kalon me veturën e tij me targa zvicerane duke biseduar me telefon gjatë vozitjes dhe policia e sinjalizon dhe i njëjti nuk ndalet.

Pastaj i akuzuari Mirsad Rexhaj, i drejtohet të dëmtuarit me fjalët “a më njeh se kush jam unë, unë ty të bi grusht, mos gabo mem prek”, e më pas i afrohet afër me qëllim që ta godas zyrtarin policor, por me ndihmën e policëve të tjerë i njëjti arrestohet- thuhet në aktakuzë.