Gjakovë, ish-asamblisti i Alternativës përballet me dëshmitarë
Jeton Vorfi, ish-asamblisti i Asamblesë së Gjakovës nga radhët e partisë Alternativa, i akuzuar për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, u ballafaqua me dëshmitarë.
Kushtrim Brahimaj, tashmë zëvendësministër në Ministrisë e Financave e më parë zyrtar në Komunën e Gjakovës si menaxher i personelit, sot si dëshmitari i parë i këtij rasti tregoi se në vitin 2019 kishte njoftuar Agjencinë Kundër Korrupsion për çfarëdo ndryshimi që është bërë në Komunë.
Në pyetjet e prokurorit Anton Hasanaj, Brahimaj tha se i akuzuari Jeton Vorfi si zyrtar i lartë publik ka qenë i obliguar që pas largimit të tij të deklarojë pasurinë.
“Ne si menaxherë çdoherë i informojmë zyrtarët e lartë të Komunës për të gjitha obligimet e tyre, përfshirë edhe deklarimin e pasurisë, e po ashtu kur kam marrë njoftimin për dorëheqjen e asamblistit Jeton Vorfi, e kam udhëzuar zyrtaren Teuta Krasniqi që të informojë personin lidhur me deklarimin e pasurisë dhe pas disa minutash zyrtarja Krasniqi më ka treguar që e kishte kryer këtë obligim”, deklaroi dëshmitari.
Brahimaj tregoi se deklarimin e rregullt të pasurisë e kishin aplikuar përmes email-it ndërsa nga fillimi i vitit 2020 largimin nga pozita kishin filluar që ta bëjnë përmes telefonit.
Dëshmitari tregoi se tashmë ish-asamblisti është njoftuar brenda afatit ligjor, menjëherë kur kanë marrë njoftimin për dorëheqjen e tij dhe se i njëjti nuk e di se kur saktësisht është paraqitur dorëheqja, pasi që një gjë e tillë nuk është në kuadër të fushës së punës së tij.
Ai tha që disa vite e deri më tash nuk ka pasur asnjë informacion se Jeton Vorfi ka pasur ndonjë problem lidhur me deklarimin e pasurisë.
Po ashtu, Brahimaj tregoi se me përfundimin e mandatit të një asamblisti e njoftojnë Agjencinë Kundër Korrupsion.
Më pas, dëshmitarja Teuta Krasniqi, zyrtare e burimeve njerëzore në Kuvendin Komunal të Gjakovës, tregoi se në përshkrimin e detyrave të saj të punës nuk ishte njoftimi i zyrtarëve të lartë për deklarim të pasurisë, por që nga menaxheri i saj Kushtrim Brahimaj i ishte kërkuar që t’i bëjë këto njoftime lidhur me asamblistët.
Ajo tha se përmes telefonit zyrtar ka njoftuar disa zyrtarë lidhur ne deklarimet e tyre të pasurisë, varësisht prej marrjes së mandatit apo lirimit të mandatit, e një prej tyre ka qenë edhe Jeton Vorfi.
Dëshmitarja Teuta Krasniqi tha se përmes telefonit i kishte thënë ish-asamblistit që brenda 30 ditësh ishte i obliguar ta bënte deklarimin e pasurisë, pasi që i njëjti kishte dhënë dorëheqje.
Ajo tregoi edhe numrin e telefonit zyrtar, të cilën e ka përdorur për telefonata.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Jeton Vorfi, avokati Prenk Pepaj, i propozoi Gjykatës që si provë të nxirren tabulatet e telefonatave në mes të akuzuarit dhe numrin zyrtar të zyrtarëve të Komunës prej periudhës maj-shtator.
Nga gjykatësi i rastit, Drilon Haraçia, u aprovua propozimi i avokatit Pepaj dhe seanca e radhës u shty për një kohë të pacaktuar.
Në muajin dhjetor të vitit 2020, Vorfi ishte deklaruar i pafajshëm rreth akuzës së Prokurorisë së Gjakovës.
Gjykatësi i rastit Drilon Haraçia paraprakisht kishte treguar se pas kërkesës së Prokurorisë për dhënien e urdhrit ndëshkimor, Gjykata jashtë shqyrtimit gjyqësor kishte dhënë urdhër ndëshkimor, duke e dënuar me gjobë prej 300 eurove, të cilën gjobë ai ishte obliguar që ta paguante brenda 15 ditësh.
Kundër këtij aktgjykimi pala e akuzuar kishte paraqitur kundërshtim kundër gjobës së shqiptuar dhe i njëjti rast pritet që të zhvillohet në procedurë të rregullt.
Sipas aktakuzës të siguruar nga KALLXO.com, Jeton Vorfi po akuzohet se pas dorëzimit të mandatit si asamblist, nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë.
Aktakuza thotë se që nga 27 qershori 2019 deri më 27 korrik 2019, në cilësinë e ish-këshilltarit komunal në Gjakovë nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë në afat prej 30 ditësh pas dorëzimit të mandatit si asamblist.
Në aktakuzë thuhet se ky deklarim është i paraparë për të gjithë zyrtarët publikë dhe të njëjtit, përfshirë edhe Jeton Vorfin, janë të informuar për obligimin e deklarimit të pasurisë.