Foto: Kallxo.com

Gjakovë, gjykata refuzon kërkesën e avokatit për aktakuzën për 18 qese me marihuanë e heroinë

Avokati Masar Vula kërkoi sot në gjykatë që aktakuza ndaj klientit të tij Besnik Shotani, të hedhet poshtë por gjykata e refuzoi këtë kërkesë.

Për pasojë, Shotani do të vazhdojë të gjykohet në akuzën për 18 qese të marihuanës të cilat Prokuroria në Gjakovë thotë se i janë gjetur në posedim.

Besnik Shotani, i akuzuar nga Prokuroria për blerje e shitjes të drogës, duke kundërshtuar një akuzë të tillë tha se drogën e kishte blerë nga personat “Beli dhe Valoni”.

Por avokati Vula tha se aktakuza është e mangët.

Ndërsa prokurorja Ardita Beqiraj Hyseni tha se kjo aktakuzë është e qëndrueshme dhe me bazë.

Gjykatësi i tastit Shaqir Zika, refuzoi kërkesën për hudhjen e aktakuzës, për shkak të  mospërmbushjes së kushteve ligjore të saj.

Shotani ishte deklaruar i pafajshëm, duke kundërshtuar që e kishte shitur drogën.

Gjakovë, i akuzuari mohon se 18 qeset me drogë i kishte për shitje

Aktakuza thotë se Shotanit i është gjetur marihuanë dhe heroinë.

Sipas aktakuzës, në dhomën e tij të gjumit, Policia kishte gjetur 4 qese të mbushura me marihuanë dhe 14 të tjera me heroinë.

Aktakuza shpjegon se qeset e marihuanës kanë peshuar 30.59 gram, ndërsa ato të heroinës 3.12 gram.

Për këto, Prokuroria po e akuzon Shotanin për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.