Foto: Kallxo.com

Afishe fetare për t’i penguar votuesit, të akuzuarit nuk i pranojnë ligjet dhe gjykatën e Kosovës

Haki Azemaj dhe Valon Dervishaj të akuzuar për ndikim te votuesit e 6 tetorit që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit 2019, sot dolën sërish para gjykatës për t’i mohuar ligjet e shtetit të Kosovës duke refuzuar madje edhe ngriten në këmbë para gjykatësit Shaqir Zika.

Haki Azemaj tha se e kundërshton akuzën e Prokurorisë, me arsyetimin se “askujt nuk i kanë bërë asgjë të keqe”.

Ndërsa i akuzuari tjetër Valon Dervishaj tha se nuk e pranon akuzën e Prokurorisë me arsyetimin se nuk e kishte ditur që vendosja e afisheve është e ndaluar.

“Si shtet që jeni, ma s’pari jepet kritika e paralajmërimi e jo direkt në akuzë në krime të rënda”, i tha ai gjykatësit të rastit.

Në anën tjetër, prokurorja Ardita Beqiraj Hyseni tha se aktakuza e Prokurorisë është mjaft e bazuar në prova.

Gjykatësi Shaqir Zika tha se do të vendos me vendim të veçantë lidhur me kundërshtimet e aktakuzës.

Prokuroria pretendon se Azemaj dhe Dervishaj me qëllim të parandalimit të njerëzve për të votuar kishin vendosur afishe me përmbajtje “Kujdes votimi për ligjet e nxjerrura nga njeriu, është SHIRK ti bësh ortak All-llahut”.

Dy të akuzuarit, Haki Azemaj dhe Valon Dervishaj, para gjykatës kishin pranuar që kishin vendosur afishet, por kishin kundërshtuar t’i pranojnë ligjet e Kosovës.

https://kallxo.com/ligji/gjykimi-per-afishet-kunder-zgjedhjeve-i-akuzuari-gjykates-ju-jeni-qafira-e-pabesimtare/

Në seancën fillestare ata kishin mohuar shtetin dhe ligjin e Kosovës.

“Mohoj shtetin e juj, ligjin juj, e kam vetëm një dhe ai është Allahu. E urrej këtë punë. Ju jeni pabesimtar, për mu jeni qafira dhe qafiri dihet ku shkon në zjarr xhehnemit. Ky ligj është i padrejtë, e mohoj këtë ligj ngase këtë ligj e ka sjell njeriu dhe unë i përmbahem vetëm ligjeve të Allahut”- kishte deklaruar i akuzuari Haki Azemaj.

Ai gjithashtu kundërshtoi të ngrihej në këmbë para gjykatës për marrjen e të dhënave personale, derisa policët e kishin ngritur në këmbë.

Ndërsa i akuzuari tjetër Valon Dervishaj, kishte thënë se kjo akuzë e Prokurorisë nuk është vepër penale.

“Nuk pajtona për këtë vepër që e kam bo derisa Allahu të ma mer shpirtin, kjo nuk është vepër penale por këshilla është vepër e lëvdushme. Unë thirrna vetëm në atë që Allahu e ka urdhëru”- kishte deklaruar Valon Dervishaj.

Dervishaj ishte shprehur se nuk e kishte lënduar askënd me vendosjen e afisheve

“Deklarohem i pafajshëm sepse s’kam bo një vepër që e lëndon dikon, por e pranoj që ato afishe e pranoj që i kam vendos”- Dervishaj.

Sipas aktakuzës, Haki Azemaj dhe Valon Dervishaj një ditë para zgjedhjeve nacionale, duke ju bërë thirrje votuesve për mospjesmarrje në votime, kishin vendosur afishe me përmbajtje “Kujdes votimi për ligjet e nxjerrura mga njeriu, është SHIRK ti bësh ortak All-llahut”.

Aktakuza thotë se këto afishe i kishin shumëzuar në një shtypshkronjë në Gjakovë dhe i kishin vendosur në “Xhaminë e Sofës”, në afërsi të shkollës fillore “Zekeria Rexha” dhe në Qarshinë e Vjetër.