Gjykata e Gjakoves

Gjakovë, arsyetimi i gjykatës për dënimin me kusht për 5 euro ryshfet ofruar policit

Andon Vasaliu, i akuzuar për dhënie ryshfeti në vlerë prej 5 euro, ndaj një zyrtari policor në pikën kufitare në Qaf Prush, me qëllim të lehtësimit të kontrollit kufitar, ishte dënuar me burgim me kusht prej 1 viti, dënim ky i cili nuk do t’i ekzekutohet nëse brenda 2 viteve i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale.

Përveç kësaj, gjykatësi i rastit Mentor Bajraktari ia kishte caktuar gjobën prej 300 eurove, shumë të cilën duhej ta paguante në afat prej 15 ditëve.

Në arsyetimin e aktgjykimit të gjykatës janë vlerësuar rrethanat lehtësuese sikurse gjendja e dobët e të akuzuarit si mbajtës i familjes shumë anëtarëshe si dhe fakti që nuk ka qenë i dënuar më parë.

Poashtu, si rrethanë lehtësuese gjykata ka vlerësuar edhe pranimin e fajësisë dhe pendimin e tij, ndërsa rrethana rënduese në këtë rast gjykata nuk ka gjetur.

Kundër këtij aktgjykimi, Andon Vasaliu ka të drejtën e ankesës në afat prej 15 ditësh në gjykatën e Apelit.

Vasaliu, në muajin shtator kishte pranuar fajësinë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurorja Ardita Beqiraj Hyseni, Andon Vasiliu po akuzohet për veprën penale të dhënies së ryshfetit, të bërë në muajin shkurt të vitit 2020.

Prokuroria pretendon se në pikën kufitare në Qaf Prush, Vasiliu kishte ofruar 5 euro zyrtarit policor Sali Berisha, me qëllim të lehtësimit të kontrollit kufitar.

Në aktakuzë thuhet se këtë veprim e kishte bërë pasi që në veturë kishte pllaka të mermerit për t’i dërguar në montim në fshatin Nivokaz në Gjakovë.