Tentim-vrasja shkaku i mosmarrëveshjes për bilardo, i akuzuari jep versionin e tij për ngjarjen

Në Gjykatën e Gjakovës, Josip Imeri, i akuzuar për tentim-vrasjen e Agron Drenit, dha mbrojtjen e tij para trupit gjykues të përbërë nga Drilon Haraçia, Ahmet Idrizaj dhe Njazi Morina.

Fillimisht, Imeri tha se qëndron prapa deklaratës së tij të dhënë në Prokurori.

Ai tregoi se në atë lokal kishte shkuar çdo ditë, posaçërisht për të luajtur bilardo.

Imeri tha që përleshja kishte filluar “kur Agron Dreni më tha: Shuj ti, shuj rri qaty!’. E më pas të dyve na kanë ndarë të tjerët që kanë qenë presentë duke luajtur së bashku”.

“Pas kacafytjes ndërmjet vete, kam parë gjak në fytyrë, duke u shtyrë mes vete, e kam nxjerrë briskun dhe e kam therrë  Agronin një herë mbrapa në shpatull sepse nuk më lëshojke”, deklaroi i akuzuari Josip Imeri.

Ai tha se nuk ka pasur për qëllim ta mbyste dhe të njëjtit i kërkoi falje.

Josip Imeri tha se briskun e kishte blerë në poligon tek Pika e Zezë, në dalje prej Gjakovës, të cilin brisk e përdorte për gjueti.

Data 30 prill u caktua për dhënien e fjalës përfundimtare.

Sipas aktakuzës, më 24 shtator të vitit 2020 në fshatin Bardhasan të Gjakovës, Josip Imeri ka tentuar ta privojë nga jeta Agron Drenin.

Në aktakuzë thuhet se për shkak të një mosmarraveshjeje rreth lojës së bilardos i akuzuari e kishte nxjerrë një thikë duke e goditur të dëmtuarin 4 herë mbrapa.

Aktakuza thotë se i dëmtuari i gjakosur dërgohet nga axha i tij në QKUK në Prishtinë, ku kishte qëndruar për disa ditë në gjendje kome për shkak të lëndimeve të marra.